Liria e shtypit në Serbi po përballet me një “pikë kthese të rrezikshme” pas rritjes së presionit ndaj mediave të pavarura nga ministrat dhe mediat e mbështetura nga shteti, ka paralajmëruar një grup redaktorësh të lartë.
Redaktorët, të gjithë nga publikime brenda grupit të pavarur United Media, thanë se gazetarët e tyre përballen me “ngacmime të vazhdueshme, sulme fizike dhe fushata shpifjeje” pas raportimeve të tyre në vend, i cili është përfshirë nga protesta kundër presidentit autokratik, Aleksandër Vuçiç.
Ndërhyrja e tyre vjen pas asaj që duket të ketë qenë demonstrata më e madhe kundër korrupsionit në historinë e Serbisë këtë muaj. Tubimi masiv në Beograd shënoi kulmin e katër muajve protesta kundër qeverisë pas shembjes fatale të një çatie stacioni treni prej betoni në qytetin verior të Novi Sadit në nëntor të vitit të kaluar.
Grupet e shoqërisë civile kanë paralajmëruar prej muajsh për një mjedis gjithnjë e më armiqësor ndaj mediave të pavarura që nga shembja e stacionit, e cila vrau 16 persona dhe shkaktoi një reagim politik kundër administratës pro-ruse të Vuçiç-it.
“Mediet në Serbi janë në një pikë kthese të rrezikshme,” shkruan redaktorët në një letër të hapur të nënshkruar nga pesë media, përfshirë Igor Božić, drejtor lajmesh në N1 Serbia, e lidhur me CNN-in. “Qeveria po intensifikon sulmet ndaj gazetarisë së pavarur, duke shënjestruar veçanërisht mediat brenda United Media, teksa kriza politike thellohet dhe frustrimi publik rritet.”
“Në vend që të trajtojë çështjet reale publike, qeveria krijon histori të rreme që i portretizojnë mediat e pavarura si agjentë të huaj dhe armiq të shtetit. Si rezultat, gazetarët tanë sulmohen, bllokohen nga ngjarjet zyrtare dhe shënjestrohen me dezinformata që synojnë të minojnë besimin e publikut.”
Organizata Joqeveritare Reporterët pa Kufij (RSF) ka thënë se presioni mbi mediat në Serbi ka arritur nivele që nuk janë parë që nga vitet 1990. Ajo gjithashtu i ka bërë thirrje BE-së të dënojë një bastisje në zyrat e Qendrës për Kërkim, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA), një OJQ që drejton një faqe të njohur verifikimi faktesh.
Pavol Szalai, shefi i zyrës së RSF për BE-Ballkanin, tha se Serbia ishte e 98-ta nga 180 vende dhe territore në indeksin botëror të lirisë së shtypit vitin e kaluar, renditja e saj më e ulët në 22 vjet.
Ka pasur disa raporte për armiqësi ndaj gazetarëve të pavarur që nga katastrofa e stacionit të trenit. Në fund të vitit të kaluar, gazetarja e N1 Žaklina Tatalović dhe kameramani i saj Nikola Popović u ngacmuan gjatë mbulimit të protestave. Grupet lokale të lirisë së shtypit thanë në atë kohë se Tatalović dhe Popović ishin përballur me fyerje seksiste dhe dhunë fizike. Policia u akuzua se nuk ndërhyri për t’i mbrojtur.
Një tjetër gazetare e N1, Jelena Mirković, u sulmua gjatë mbulimit të protestave kundër shembjes së një ure. Ajo pësoi një dëmtim në qafë dhe më pas nuk ishte në gjendje të punonte. Muajin e kaluar, një tjetër gazetare e N1, Ksenija Pavkov, u kërcënua verbal gjatë raportimit.
Në letrën e tyre, grupi i redaktorëve tha se Vuçiç po akuzonte në mënyrë të rreme gazetarët për “nxitje trazirash”. Ata gjithashtu thanë se po ushtroheshin presione financiare dhe rregullatore, duke larguar reklamuesit dhe partnerët e biznesit.
“Me protesta studentore që vazhdojnë dhe një qeveri të shpërbërë në pritje të zgjedhjeve të reja, ne jemi thellësisht të shqetësuar për sigurinë e gazetarëve tanë në terren,” shkruan ata. “Armiqësia në rritje ndaj mediave të pavarura, e nxitur nga retorika e orkestruar e qeverisë, ka krijuar një mjedis ku dhuna jo vetëm që lejohet, por madje edhe inkurajohet.”
“Vetëm në katër muajt e fundit, gazetarët tanë, përfshirë Zaklina Tatalović, Ksenija Pavkov dhe Jelena Mirković, kanë pësuar si sulme fizike ashtu edhe verbale. Pavarësisht provave të qarta filmike të autorëve, policia nuk ka bërë asgjë për t’i mbajtur ata përgjegjës.”
Gjithashtu, gjysmë milioni njerëz kanë nënshkruar një peticion online duke kërkuar një hetim të pavarur për të përcaktuar nëse forcat e sigurisë në Serbi përdorën një armë zanore, atë që peticioni e përshkruan si një “top zëri”, gjatë tubimit më 15 mars.
Vuçiç mbetet nën presion dhe po përballet me momentin më të rrezikshëm të sundimit të tij 12-vjeçar. Protestat kanë qenë një dukuri e rregullt në Serbi që nga nëntori. Presidenti deri tani ka kërkuar të shmangë fajin, me një sërë dorëheqjesh që kanë ardhur si pasojë e shembjes së stacionit.
Qeveria serbe, e drejtuar nga kryeministri Miloš Vučević, dha dorëheqjen zyrtarisht javën e kaluar, me Vuçiçin që tha se zgjedhjet mund të mbahen në qershor.
Protestuesit po kërkojnë përgjegjësi për katastrofën në Novi Sad, si dhe institucione më transparente të bazuara në sundimin e ligjit. Më shumë se një duzinë njerëzish janë akuzuar në lidhje me shembjen e çatisë. Të premten, u njoftua se një adoleshent ishte bërë viktima më e fundit që kishte ndërruar jetë nga lëndimet e marra në këtë fatkeqësi.
Deri në 325,000 njerëz dolën në rrugët e Beogradit më 15 mars, megjithëse qeveria ka mohuar këto vlerësime.
Lexo më tej: Analiza në “POLITICO”/ Protestat në Serbi, a është në telashe Aleksandar Vuçiç?
Pamjet tregojnë turma që papritur ndahen, me disa që ankohen për ndjenja të këqija të lidhura me përdorimin e një arme zanore. Megjithatë, politikanë të lartë të qeverisë dhe policia kanë mohuar që një armë e tillë të jetë përdorur. Vuçiç e përshkroi pretendimin si një “gënjeshtër të ligë” që synonte “shkatërrimin e Serbisë”.
The Guardian, përshtati në shqip