Ndonëse kanë mbetur edhe disa javë për tu luajtur, sezoni i Liverpool mund të konsiderohet i përfunduar. Eliminimi nga Liga e Kampioneve dhe humbja në finalen e Karabao Kup, kanë bërë që fokusi i vetëm i të kuqve të jetë kampionati.
Në Premier Ligë, skuadra e drejtuar nga Arne Slot, është e shkëputur në krye me 12 pikë nga Arsenali. Edhe pse matematikisht ende kanë gjasa për titull, diferenca me rivalët është shumë e madhe për të besuar te një rikthim.
Për këtë arsye, drejtuesit e klubit kanë nisur të mendojnë për sezonin e ardhshëm, duke u përqendruar te rinovimet e kontratave të lojtarëve kyç, mes të cilëve më i rëndësishmi është padyshim Mohamed Salah.
Sulmuesi egjiptian ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të sezonit, duke dhuruar një nga performancat më të mira të karrierës së tij. Nën drejtimin e trajnerit Arne Slot, Salah ka shënuar 30 gola dhe ka dhuruar 22 asistime, duke qenë vendimtar për skuadrën.
Megjithatë, e ardhmja e tij mbetet e pasigurt, pasi kontrata e tij përfundon në qershor dhe nuk ka ende një marrëveshje për rinovim. Klubi arab Al Hilal është një nga kandidatët kryesorë për ta transferuar atë, me një ofertë të majme që mund ta tundojë sulmuesin egjiptian.
Pavarësisht spekulimeve për një largim të mundshëm, gazetari britanik David Ornstein, thotë se situata është ndryshe nga ajo që është paraqitur në media. Sipas tij, te Liverpool kanë qenë optimistë për një kohë të gjatë se do të arrijnë një marrëveshje me Salah. Ata duan që ai të qëndrojë dhe ekziston një besim se ai është i lumtur dhe e dëshiron këtë.
Drejtuesit e Liverpool janë të vendosur që të mbajnë Salah në skuadër, duke i ofruar atij një kontratë të re dhe një rol qendror në projektin e ardhshëm. Me largimin e Jurgen Klopit, klubi po kërkon të ndërtojë një epokë të re nën drejtimin e Arne Slot, dhe Salah shihet si një figurë kyçe për të mbajtur skuadrën konkurruese.
Nga ana tjetër, shumë do të varet nga vendimi personal i Salah, nëse ai dëshiron të vazhdojë në elitën e futbollit evropian apo të pranojë një ofertë të majme financiare nga Arabia Saudite.
Për momentin, gjithçka mbetet e hapur dhe vendimi përfundimtar do të merret në javët e ardhshme.