Do na mungojë të gjithëve…

2 Min Read

Federata Shqiptare e Futbollit shpreh keqardhjen e thellë për lajmin tragjik të ndarjes nga jeta të gazetarit të njohur sportiv, Saimir Demi.

Pas një beteje disa mujore me një sëmundje të rëndë, Saimiri nuk ia doli të vazhdonte misionin e tij fisnik në gazetarinë sportive, duke lënë pas një boshllëk të madh në komunitetin e gazetarëve dhe të gjithë sportdashësve.

Federata e Futbollit dëshiron t’i shprehë ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve të tij, të cilët sot humbën një profesionist të përkushtuar dhe një njeri të rrallë.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin tragjik për ndarjen e parakohshme nga jeta të Saimir Demit, një gazetar i përkushtuar dhe një njeri i jashtëzakonshëm. Me të kemi ndarë biseda, analiza dhe opinione për sportin, veçanërisht për futbollin, një pasion që e udhëhoqi gjithë jetën e tij profesionale.

Një njeri i dashur dhe një profesionist i palodhur, Saimiri do t’i mungojë jo vetëm familjes së tij, por edhe komunitetit të gazetarëve dhe sportdashësve, ku kontribuoi me përkushtim për tre dekada.

Në emrin tim personal dhe në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, bashkëshortes dhe djalit të tij, si dhe të gjithë miqve që i qëndruan pranë.

U prehsh në paqe, Saimir! Do të të kujtojmë gjithmonë me respekt dhe dashuri.

Share This Article
Leave a Comment