Ndërmjet 2011 dhe 2023, popullsia ka pësuar rënie në të gjitha qarqet e vendit dhe për Tiranën ka rritje me vetëm 1.2%.
Shprehur në vlerë absolute, Elbasani dhe Shkodra kanë pësuar rënien më të lartë të popullsisë. Në anën tjetër, popullsia e Qarkut të Tiranës është rritur me 1,2%, më së shumti prej migracionit të brendshëm.
Rritja e popullsisë në Tiranë dhe rënia në qarqet e tjera rezulton në rritjen e përqindjes së popullsisë banuese në Tiranë, nga 26,8% në 2011 në 31,6% në 2023.
Përafërsisht një e treta e popullsisë shqiptare (31,6%) banon në Qarkun e Tiranës. Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri me rreth 10,0%, ndjekur nga Qarku i Elbasanit me 9,7% ndaj popullsisë gjithsej.
Kukësi dhe Gjirokastra kanë përqindjen më të ulët, me 2,6% dhe 2,5% të popullsisë përkatëse. Shpërndarja e popullsisë në territorin e Shqipërisë tregon një përqendrim në Fier, Durrës dhe veçanërisht në Tiranë.
Përveç pakësimit, struktura e popullsisë është plakur dhe moshat e vjetra dominojnë strukturën e popullsisë. Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se mosha mesatare e popullsisë arriti 42.5 vite, duke u rritur me 7 vite nga viti 2011, kur ky tregues ishte 35.5 vjet./ Monitor