Berisha i ftoi të rinjtë të bëhen mesazherët e fushatës dhe të bëjnë Shqipërinë “Made in Albania” një realitet, duke shprehur besimin se ata do të jenë fytyra dhe përkrahës të kësaj lëvizjeje për një Shqipëri më të fuqishme dhe të begatshme.
FJALA E PLOTË
Dua të falenderoj nga zemra mikun tonë suedeze, të falënderoj partinë Moderatna, kryeministrin, kryetarin e saj, të Suedisë, për këtë ndihmë të çmuar që na japin, ndihmë e cila është një inkurajim i madh për ne.
Është vazhdimi i një tradite të një bashkëpunimi të gjatë që ne kemi me këtë parti, me të cilën ne jemi një familje dhe një ndihmë që vjen në një kohë shumë të rëndësishme siç është kjo e fushatës elektorale.
Trajnimi juaj është jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Dua të përshëndes miqtë e tjerë të pranishëm, Albanën dhe Oerdin dhe t’u përshëndes të gjithë ju që merrni pjesë në këtë trajnim me urimin, shpresën dhe besimin që ato njohuri dhe aftësi që i fitoni në këtë trajnim t’i shpërndani në të gjitha degët e PD në Shqipëri.
Ne shkojmë në këtë fushatë me përpjekjen tonë më serioze për një fitore më 11 maj, fitore e cila ka rëndësi historike për Shqipërinë dhe jo vetëm.
Shqipëria sot ka një regjim narkodiktatorial, në të cilin të gjitha pushtetet janë të përqendruara në një dorë.
Në të cilin bëhen përpjekjet më të jashtëzakonshme për të kontrolluar vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
Në të cilin janë arrestuar njësoj si në Tunizi tre liderët e partive kryesore opozitare.
Por nga ana tjetër, ne vijmë në këtë fushatë më të vendosur se kurrë për të shpëtuar Shqipërinë, të vetmin vend, nga diktatura e dytë në 33 vite.
Sot është një datë e madhe për ne, frymëzuese. Është 22 marsi, është festa e Sulltan Novruzit, çka unë uroj të gjithë bektashinjtë shqiptarë me këtë rast.
Fakti që ne, si forcë politike, u riorganizuam, kapërcyem vështirësi të mëdha, arritëm të mposhtëm të gjitha përpjekjet e narkoshtetit për shkatërrimin tonë dhe vijmë sot më të fortë se kurrë, përbën një prerogativë të fuqishme për fitoren tonë.
Përveç kësaj, siç jeni në dijeni, ne kemi krijuar koalicionin më të gjerë në të gjitha vitet.
Aleatët tanë përbëjnë rreth një të tretën e votuesve shqiptarë.
Kandidatët në tërësi kanë dalë nga primaret dhe anëtarësia jonë është konsultuar më shumë se kurrë në përzgjedhjen e tyre.
Por përveç këtyre, ne kemi një program të shkëlqyer.
Programi i Shqipërisë Madhështore është programi më i mirë që PD ka paraqitur para shqiptarëve në tërë ekzistencën e saj.
Ky program ka në themel arritjet tona historike që nga vendosja e pluralizmit te anëtarësimi i Shqipërisë në NATO.
Por ka në themel vizionin për të transformuar me shpejtësi Shqipërinë.
Ne duam që Shqipëria të jetë vendi i ëndrrave tuaja të ditës.
Çdo projekt i çdo individi është në të vërtetë një ëndërr dite.
Dhe askush më shumë se të rinjtë nuk i ka më të bukura ëndrrat e ditës.
Ne duam që me Shqipërinë në vitet e ardhshme, të rinjtë shqiptarë t’i besojnë ëndrrën e tyre Shqipërisë.
Të binden, t’i përkushtojnë energjitë e tyre ndërtimit të ëndrrës së tyre në Shqipëri.
Synojmë që Shqipëria t’u ofrojë atyre të gjitha lehtësirat, të gjitha mundësitë për realizimin e kësaj ëndrre.
Synojmë që Shqipëria të jetë një vend i drejtë, i qytetarëve të barabartë, i shtetit ligjor.
Synojmë që për të rinjtë të bëjmë çdo investim që ata të shkollohen sa më mirë, që ata të punësohen sa më shumë, që ata të kenë sukses në bizneset e tyre.
Programi i Shqipërisë Madhështore në pamje të parë duket si një program i ekazgjëruar, si një epitet i ekzagjeruar, por është shumë real.
Se sa nuk ka pasur gjë më madhështore që të vendosësh pluralizmin në Shqipëri, në vendin e monizmit ekstrem.
Nuk ka pasur më madhështore se sa të nxjerrësh Shqipërinë nga honet e varfërisë ekstreme në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.
Nuk ka pasur akt më madhështor se Shqipërinë, vendin më të pasigurt, ta anëtarësosh në aleancën me të fuqishme politike dhe shtarake, aleancën e Atlantikut të Veriut.
Të dyfishosh rrogat dhe pensionet, edhe ky është një akt madhështor.
Ku e bazojmë ne këtë që flasim për Shqipërinë Madhështore? E bazojmë sepse ne kemi realizuar shumë momente madhështore.
Por ato përsëri nuk krijonin atë që themi ne, Shqipërinë Madhështore.
Jo, Shqipëria Madhështore do jetë Shqipëria që nuk do njohë varfëri ekstreme. Ne kemi gjetur çelësin e saj. Cili është çelësi? Ne do ua kthejmë paratë shqiptarëve.
Paratë që mblidhen nga të ardhurat e tyre, një pjesë e mirë do shkojë për rroga dhe pensione. Nuk u themi ne pensionistëve që nuk do vëmë para në fondin tuaj se shembet Shqipëria.
Shqipëria shembet po t’i lësh ata në gjendje të mjerë.
Ndaj ne do vendosim minimumin jetik. Nuk do ketë shqiptar që do marrë më pak se 200 euro. Do rriten pensionet.
Rroga minimale do jetë 500 euro.
Rroga mesatare do jetë 1200 euro.
Nuk do preket rroga maksimale sepse diferenca mes rrogës mesatare dhe rrogës maksimale është më e thella se në çdo vend tjetër që unë di në planet. Se kështu e bënë këta në mendësinë e tyre.
Por përsëri kjo nuk është Shqipëria Madhështore.
Kjo është Shqipëria jashtë dhimbjes.
Shqipëria Madhështore është Made in Albania.
Do e bëjmë Shqipërinë një hotel apo një vend që prodhon kudo të mira për qytetarët e saj, që pasuritë përrallore do ua kthejë qytetarëve të vet?
Shqipëria ka pasuri botërore në rezervat e saj nëntokësore.
Ka një tokë ndër më pjelloret që mund të bëhet.
Është një vend me më shumë ujëra se çdo vend i rajonit.
Shqipërisë ia shkatërruan prodhimin.
Ia shkatërruan duke vendosur standarde që nuk ekzistojnë askund në tregti.
Ia shkatërruan prodhimin me narkoeuro.
Çdo javë mbyllen ndërmarrjet e eksportit për shkak të rënies së vlerës së euros me 35 përqind.
Dhe çfarë euro është? Është narkoeuro!
Mijëra e mijëra shqiptarë mbyllën vendet e punës dhe u detyruan të largohen jashtë vendit.
A ka mundësia t’i mbrojë? Plotësisht.
Qeveria mbron kursin, kompenson kursin që droga ia uli euros dhe i kompenson eksportuesit për aq sa ka rënë euro dhe nuk humbasin qindra vende pune dhe nuk bllokohet prodhimi.
Pra, Made in Albania do jetë krenari kombëtare.
Do jetë gjeneratori kryesor i punësimit tuaj.
Do jetë vendi i suksesit tuaj.
Shqipëria do jetë vendi i taksave më të ulëta në Europë.
Shqipëria do ketë çmimin më të ulët të energjisë dhe do shndërrohet në një superfuqi energjetike rajonale.
Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme të prodhimit të energjisë nga dielli, uji, era dhe gazi.
Të gjitha këto janë potenciale të ndaluara gjer sot për shkak të korrupsionit, arbitraritetit, mungesa e sistemit të drejtësisë.
Ne do i rikthehemi fuqishëm në mënyrë që qytetarët shqiptarë ta blejnë energjinë sa më lirë.
Do ulet energjia për bizneset, do zbresë nga 24 lekë në 6 lekë.
Do ulet energjia për qytetarët, do zbresë në 7 lekë.
Do ulet nafta.
Çfarë i duhet pensionistit nafta, i thoshte Edi Rama një zonje që e gozhdoi në ‘Opinion’.
Pse pensionisti nuk lëviz me autobus? Apo duhet të rrijë në shtëpi ai?
Pra, ne kemi një program me të cilin ju mund të trokisni në çdo derë, në çdo zemër, në çdo mendje.
A është vetëm ky programi? Jo.
Shqipëria do bëhet epiqendër të teknologjisë së lartë në rajon e më gjerë.
Do bëhet epiqendër e inteligjencës artificiale, kriptomonedhave, dataqendrave.
Pra, kjo do jetë Shqipëria Madhështore, plotësisht e realizueshme.
Por këto janë të gjitha fjalë në ekran.
Këto fjalë duhet të çohen në çdo derë.
Këto fjalë duhet të çohen te çdo qytetar.
Dhe u them unë një gjë se nuk ka mesazherë më bindës, më të pëlqyer, më të besueshëm se sa ju të rinjve.
Pra, kjo fushatë është në duart tuaja.
Jeni ju mesazherët e saj, ne fitojmë.
Do bëheni ju fytyrë e vërtetë e saj, ne fitojmë.
Do bëheni ju njerëzia e saj, ne fitojmë.