TIRANË- Kreu i PD Sali Berisha ka folur në lidhje me postin e drejtimit të PD-së dhe nëse se a sheh kandidat brenda familjes, për tja besuar lidershipin pas largimit të tij. Berisha i ftuar në emisionin “Kjo javë” tha se lideri i një partie politike ka mission të çojë partinë në fitore jo të përpiqet të krijojë kopjen e tij. Sipas tij anëtarët e PD kanë të drejtën që të zgjedhin atë që pëlqejnë dhe se ai e respekton zgjedhjen e anëtarësisë. Berisha shtoi se brenda familjes së tij nuk ka një kandidat.
“Listat treguan se vajza ime ndjek politikën nga jeta e vet private. As djali im, as dhëndri im, ndonëse në arrest të pamerituar, nuk mori një mbrojtje nga listat”, tha Berisha.
Pjesë nga intervista:
Pyetja: Nëse ju vetë do të vendosnit të hiqnit dorë nga drejtimi i partisë. Kush mund të jetë pasardhësi i Sali Berishës në PD?
Sali Berisha: Lideri i një force politike ka detyrë dhe mision kryesor të ccojë forcën politike në fitore dhe jo të krijojë pasardhësin e tij. Nuk ka për detyrë të krijojë kopjen e tij. Është e drejtë e anëtarëve të PD të zgjedhin atë që preferojnë. Unë do të respektoj vendimin e anëtarësisë së partisë.
Pyetje: Një njeri që ndjek gjurmët tuaja…
Sali Berisha: Do të respektoj vendimin e anëtarësisë së partisë…
Pyetje: Do ju pëlqente të ishte brenda familjes tuaj?
Sali Berisha: Brenda familjes time nuk ka një kandidat. Këto lista treguan se vajza ime ndjek politikën nga jeta e saj private, nuk hyri në asnjë listë, as të mbyllur, as të hapur. As djali nuk hyri as në listë të mbyllur, as të hapur. As dhëndri, ndonëse në arrest të pamerituar, por nuk mori një mbrojtje në lista.