Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pas një hetimi disa mujor, ka arrestuar një 25-vjeçar në Elbasan, i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale. Arrestimi i të riut u bë pasi nga kontrolli i biznesit bar-kafe në pronësi të familjes, i cili rezultonte i palicencuar, u siguruan prova dhe fakte që ata e kishin përshtatur ambientet e këtij biznesi për organizimin e palejuar të lojërave të fatit.
Në këtë hetim janë përfshirë dhe familjarët e tij, vëllai dhe babai me detyrë policë, për të cilët ka nisur procedimi penal.
Në një komunikatë zyrtare të policisë së Elbasanit, thuhet se për shtetasin G. D., 28 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Stacionin e Policisë Përrenjas dhe shtetasin H. D., 63 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Peqin, ka nisur procedimi në gjendje të lirë.
Nga kontrolli i ushtruar në biznesin bar kafe, u sekuestrua një armë e ftohtë e llojit thikë, një telefon celular, si dhe shumat monetare prej 612,700 lekë dhe 550 euro të përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm.