Jam shumë i lumtur dhe krenar, mund të pësonim dhe 5 gola |

3 Min Read

Shqipëria humbi me rezultatin 2-0 në “Wembley” përballë Anglinë në sfidën e parë të kualifikueseve për kampionatin botëror 2026, por për trajneri Sylvinho, ky rezultat duket i pranueshëm.

Në një prononcim pas sfidës, braziliani që drejton Kombëtaren kuqezi tha ndihet i lumtur, pasi sipas tij, përballë një rivali të këtij niveli mund të pësosh edhe 5 gola.

“Anglia është një nga kombëtaret më të forta, kanë dy mbrojtës qendre shumë të fortë. Kjo ishte vetëm ndeshja e parë. Nuk është shumë e lehtë të vish në Uembli dhe të fitosh. Këtu luajnë lojtarët më të mirë të botës, është e vështirë. Jam shumë i lumtur dhe krenarë për gjithë lojtarët që futen në fushë. Nëse nuk shkon në fushë i organizuar, mund të pësosh edhe 5 gola”, u shpreh Sylvinho.

Në vijim, tekniku i Shqipërisë analizoi lojën e djemve të tij, duke vlerësuar kontributin e Armando Brojës, i cili në 30 minuta i dha një shkëndijë ofensivës kuqezi, por edhe Myrto Uzunin që nisi si titullar.

“Në pjesën e dytë luajtëm më mirë. Në momentin që u fut Broja bëri një punë të mirë. Aty mund të ishim afruar me barazimin, por shënuan golin e dytë dhe ne humbëm. Nëse nuk përgatit mirë ndeshje në 45 minutat e para, përfundon keq. Kishim vështirësi për t’i bërë presing kundërshtarit. Vetëm Uzuni mund të sulmojë hapësirat. Kemi gabuar në pasimin e parë për të dalë nga zona. Në momentin që del nga ky presing që bëjnë anglezët, mund të rrezikosh”, deklaroi Sylvinho.

Notë kaluese nga trajneri morën edhe mbrojtësit e krahut, Ivan Balliu dhe i rikthyeri si titullar në Kombëtare, Naser Aliji.

“Nga krahu tjetër është një kundërshtar, një skuadër teknikisht fantastike, shumë – shumë e fortë. Ishte e vështirë për mbrojtësit e krahut, Aliji po luan si qendre, jo krahu te Dinamo. Por te ne e ka bërë shpesh krahun, dua t’i bëj komplimente sepse ka bërë një ndeshje shumë të mirë. Edhe Balliu i cili ka ardhur pa luajtur shumë minuta, i duhej të përballonte Rashford”, tha Sylvinho.

Share This Article
Leave a Comment