ITALI- Autoritetet italiane kanë zhvilluar së fundmi një operacion antidrogë ku kanë vënë në pranga 9 persona. Mësohet se të arrestuarit i përkasin një organizate të trafikut të lëndëve narkotike.
Sipas raportimeve banda operonte prej vitit 2017 në rajonin e Torinos, në Itali. Në orët e para të ditës së 21 marsit, karabinierët e kompanisë Chivasso përfunduan një operacion antidrogë, duke arrestuar 9 persona shumica prej tyre shqiptarë. Mes të arrestuarve ka edhe rumunë.
Hetimet për bandën mësohet se kanë nisur që prej vitit 2021, por u thelluan më tej në vitin 2023 kur një shqiptar u ndalua në Castagneto me 200 gramë lëndë narkotike kokainë. Organizata ishte aktive në Milano dhe Torino, ku ishin rezidentë edhe të dyshuarit. Gjashtë prej të dyshuarve janë në qeli, një në detyrim për paraqitje dhe dy në arrest shtëpiak.