Çfarë përmban deklarata për bashkëpunim ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë?

5 Min Read

Këto janë disa nga pikat që përfshin deklarata e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë që ministrat e Mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë nënshkruan më 18 mars në Tiranë.

Marrëveshja e plotë u publikua nga ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, më 22 mars, i cili shkroi në X se në historinë e saj, Tirana nuk ka precedent për marrëveshje apo traktate të fshehta në dëm të fqinjëve, “siç e kanë pasur shtetet e tjera”.

“Serbia, duke ndjekur prej dy vjetësh një politikë të karriges boshe në iniciativat rajonale, ia ka pezulluar në mënyrë të njëanshme vetes mundësinë për të nxitur ose për të marrë pjesë në konsultime shumëpalëshe. Ky pezullim, që është në dorën e Serbisë të lihet mënjanë, e bën të kotë çdo narrativë viktimizuese që vjen nga Qeveria serbe”, shkroi ai.

Teksti i plotë i deklartës më pas u publikua edhe nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.

Çfarë thuhet në deklaratë?

Pika e parë ka të bëjë me promovimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimin në industrinë përkatëse.

Aty thuhet se tri shtetet do të eksplorojnë zhvillimin dhe blerjen e kapaciteteve mbrojtëse përmes bashkëpunimit shumëkombësh, me qëllim që të rrisin gatishmërinë e forcave të tyre ushtarake. Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po ashtu zotohen që do të identifikojnë hapësira për bashkëpunim n industrinë e mbrojtjes, duke nxitur qasjen në burime dhe zinxhir furnizimi me qëllim që të kenë një industri konkurruese dhe të qëndrueshme të mbrojtjes.

Kjo pikë e marrëveshjes po ashtu parasheh investim në teknologji dhe inovacione të reja me qëllim që të kenë një qasje të unifikuar ndaj transformimit të sigurisë dhe mbrojtjes.

Pika e dytë adreson rritjen e ndërveprueshmërisë, përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve. Aty thuhet se do të ndahen praktikat më të mira të rekrutimit, zhvillimit dhe mbajtjes së personelit të kualifikuar ushtarak me qëllim që të rriten kapacitetet parandaluese dhe mbrojtëse.

Po ashtu, aty parashihet mundësia e edukimit dhe trajnimit individual përmes akademive dhe kolegjeve përkatëse të shteteve, “me qëllim që të ketë kuptueshmëri më të mirë nga ana strategjike të kërcënimeve dhe sfidave të përbashkëta”.

Pika tre përqendrohet në kundërpërgjigjen ndaj kërcënimeve hibride. Shtetet janë zotuar se do të forcojnë hapat e përbashkët për t’iu përgjigjur kërcënimeve hibride, përfshirë kërcënimeve kibernetike, fushatave të dezinformimit si dhe “dikimin dashakeq të huaj që mund të komprometojë ose të ndikojë në sigurinë kombëtare dhe rajonale”.

Në këtë fushë përfshihet këmbimi i informacioneve të inteligjencës për koordinim strategjik dhe operacional mes institucioneve të mbrojtjes “për të parandaluar, zbuluar dhe reaguar në mënyrë efektive kundër sfidave që hasin vendet tona përkatëse”.

Po ashtu, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë thënë se do të eksplorojnë mundësitë e reagimit për një sërë kërcënimesh të mundshme ndaj infrastrukturës së tyre kritike.

Dhe pika e fundit e marrëveshjes flet për mbështetjen që shtetet do të ofrojnë për integrimin euroatlantik. Këtu përfshihet përafrimi i politikave me institucionet dhe strukturat euroatlantike të sigurisë dhe mbrojtjes.

Kritikat e Serbisë për marrëveshjen

Serbia e ka kritikuar nismën e bashkëpunimit mes tri vendeve, duke e parë si kërcënim për “integritetin terrorial të saj”. Beogradi, që menjëherë kërkuar shpjegim nga Zagrebi dhe Tirana për qëllimet e nismës, po ashtu ka akuzuar dy shtetet për nisje të një gare armatimi në rajon.

Kosova, ndërkaq, ka thënë se nisma për bashkëpunim do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe nuk duhet të shihet si kërcënim ndaj askujt, por po ashtu duhet të merret edhe si mesazh se tri shtetet do të jenë të bashkuara përballë çfarëdo sfide apo kërcënimi.

Kroacia i është përgjigjur kritikave të Serbisë, duke thënë se ka kaluar koha kur Zagrebi kërkonte leje nga Beogradi se si të vepronte dhe me kë të bashkëpunonte.

Ministrat e Mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë kanë thënë se nisma mund të zgjerohet me shtete tjera, duke përmendur këtu mundësinë që Bullgaria të bëhet pjesë e saj.

Ndërkaq, Mali i Zi ka thënë se nuk ka qenë i ftuar që të bëhet pjesë e deklaratës për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Share This Article
Leave a Comment