Besimtarët bektashinj festojnë sot Sulltan Novruzin |

2 Min Read

Sot besimtarët bektashinj festojnë Sulltan Novruzin. Është një nga festat më të rëndësishme të tyre ku simbolizon ringjalljen dhe ripërtëritjen duke qenë se përkon edhe me pranverën, atëherë ku në fakt çelin lulet.

Ndonëse shumica e vendeve në botë e festojnë më 21 mars, në Shqipëri kjo festë festohet më 22 dhe përfaqëson një ditë të shënuar dhe më të bekuara të vitit.

Festa e Sulltan Novruzit shënon fillimin e vitit të ri, sipas sektit bektashian dhe përkon me ditëlindjen e Imam Alit në Qabe. Kjo ditë cilësohet në mbarë botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.

Novruz në gjuhën perse do të thotë ‘ditë e re’ dhe është festuar për më shumë se 3000 vite. Tradicionalisht ajo nis sapo ndodh ekuinoksi pranveror. Kjo festë shënon gjithashtu ditën e parë në kalendarin Iranian.

Novruzi festohet në Lindjen e Mesme, Azinë Qëndrore, Indi, Gjeorgji dhe Shqipëri.

Zakonisht, kjo festë zgjat tre ditë. Besimtarët bektashinj shkëmbejnë vizita tek njëri-tjetri dhe më pas kryejnë ritet fetare. Ndihmojnë njerëzit në nevojë dhe sipas traditës besimtarët shpërndajnë qumësht dhe sherbet, që simbolizojnë pastrimin e trupit dhe shpirtit.

Në ditët e festës bektashinjtë mbjellin lule në shtëpitë e tyre ose vendosin në hyrje të portave degë ulliri.

Ushqimet tradicionale të Nevruzit janë byreku me monedhën brenda, që sipas traditës kush e gjen nga pjesëtarët e familjes e pret një vit i mbarë. Në tryezë nuk duhet të mungojë mishi i pjekur dhe sigurisht ëmbëlsira tradicionale që është sultjashi.

Kjo ëmbëlsirë e cila në bazë të saj ka qumështin që simbolizon qumështin e nënës, orizin që simbolizon bollëkun dhe sherbeti që merret i kënduar në teqe.

Share This Article
Leave a Comment