Menjëherë pas vendimit të shkarkimit nga detyra të Sara Goxhajt dhe Alban Dokushit, kryetarja e preferuar e Ramës, Anuela Ristani, doli në deklaratë për media ku bëri një sqarim rreth situatës në Bashkinë e Tiranës.
Sipas saj, vendimet e fundit janë marrë në kushte të informacionit të cunguar dhe në një situatë izolimi të kryetarit Eion Veliaj, duke krijuar keqkuptime dhe shqetësime të panevojshme.
Ristani ka theksuar se, përkundër këtyre përpjekjeve për të siguruar vijimësinë e punëve, nuk ka asnjë krizë funksionale në Bashkinë e Tiranës.
Deklarata
Të nderuar qytetarë të Tiranës,
E ndiej si një detyrim ndaj secilit prej jush që, pas një sërë njoftimesh që kanë qarkulluar këto ditë në media, të ndaj sot në këtë konferencë për shtyp një sqarim të plotë mbi mënyrën se si po vijon puna në Bashkinë e Tiranës dhe si po menaxhohet institucioni që drejton kryeqytetin e vendit tonë.
Kryetari i zgjedhur i Tiranës, Erion Veliaj, në përpjekje për të garantuar vijimësinë e punëve të nisura, sic e sqaroi dhe vetë dje nëpërmjet statusit në rrjetet e tija sociale ka marrë disa vendime. Këto vendime te marra në kushtet e një informacioni të cunguar, por edhe të pasqyruara në media në mënyrë të nxituar dhe të pakonfirmuara asnjëherë nga Bashkia e Tiranës, kanë krijuar një keqkuptim dhe kanë sjellë konfuzion dhe shqetësim të panevojshëm, të cilin e sqaroi ai dje vetë.
Nuk ka asnjë krizë funksionale në Bashkinë e Tiranës. Puna vazhdon me të njëjtin përkushtim, me të njëjtën energji dhe me të njëjtin vizion që na ka udhëhequr ndër vite nën drejtimin e Kryetarit Erion Veliaj.
Në përfundim, për çdo qytetar që kërkon informacion të saktë, të gjitha kanalet tona të komunikimit mbeten aktive. Zyra e Komunikimit me Qytetarët vazhdon të jetë në dispozicion me përgjegjshmëri dhe përkushtim në sportelet përkatëse. Numri i gjelbër 0 800 0 888 është gjithashtu në funksion, së bashku me adresat tona online në [email protected].