Britania ngrin 25 miliardë paund asete ruse që nga fillimi i luftës në Ukrainë
Qeveria britanike ka ngrirë asete ruse me vlerë gati 25 miliardë paund (29.8 miliardë euro) që nga shkurti 2022, kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Kjo është bërë e ditur në shifrat e fundit zyrtare të publikuara sot nga Thesari i Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas qeverisë britanike, sanksionet e vendosura në bashkëpunim me aleatët kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej mbi 400 miliardë dollarësh (369.2 miliardë euro) ndaj Rusisë, shifër e barasvlershme me katër vite shpenzime ushtarake ruse.
Në deklaratë thuhet se ekonomia ruse është dobësuar ndjeshëm, duke u përballur me zhvlerësimin e fortë të rublës dhe mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar. Për shkak të këtyre sanksioneve, ushtria ruse është detyruar të kërkojë ndihmë ushtarake nga Koreja e Veriut dhe Irani.
Deri në mars 2024, 2001 individë dhe subjekte të lidhura me Rusinë janë prekur nga sanksionet britanike.
Pavarësisht këtyre masave, Britania dhe aleatët e saj nuk kanë sekuestruar asetet ruse të ngrira, por disa deputetë britanikë kanë kërkuar që këto të konfiskohen dhe të përdoren për rindërtimin e Ukrainës, një propozim që ende nuk ka marrë mbështetjen e qeverisë.