E gjithë vëmendja është e përqendruar në debutimin e Kombëtares në Wembley kundër Anglisë, takim që hap kështu fushatën kualifikuese të kuqezinjve drejt Botërorit 2026. Tre Luanët nuk kanë nevojë për prezantim për të kuptuar nivelin e vështirësisë së ndeshjes, por për të përballuar intensitetin e tyre duhen minuta në këmbë. Ndaj është e rëndësishme të shihim si vijnë lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtares në sfidën e 21 marsit.
Minuta e ndeshje…
Lojtari me më shumë minuta është kapiteni Berat Gjimshiti. Mbrojtësi i Atalantës ka luajtur 2,924′ në 39 ndeshje, më shumë se të gjithë të tjerët. E ndjek Qazim Laçi, që me Sparta Pragë ka koleksionuar 38 ndeshje e 2,605′. Thomas Strakosha e ka zgjidhur problemin që e ndoqi së fundmi në Itali e Angli, duke qenë në fushë 2,520′ në 28 ndeshje. Në pozita solide të gjithë qendërmbrojtësit, sepse edhe Marash Kumbulla e Ardian Ismajli kanë numra të rëndësishëm me Empolin e Espanyol, duke regjistruar 26 ndeshje e të dy mbi 1,100’. Krahët difensivë mund të jenë problem, me mungesën e Mitaj dhe me Balliun që te Rayo ka humbur vendin si titullar, me vetëm 1,107′ në 23 ndeshje.
Numrin më të madh të ndeshjeve sezonale e ka Nedim Bajrami, 40 dhe 2,450′, por çështja është se me ardhjen e Ferguson te Rangers fntazisti nuk po luan më. Në sulm kanë minuta të njëjta Manaj e Muçi, edhe pse qendërsulmuesi i Sivasspor ka më pak ndeshje e më shumë gola. Jasir Asani sidoqoftë është më produktivi dhe nga fillimi i sezonit në Korenë e Jugut ka 13 ndeshje e 1,074′ me rekordin e 9 ndeshjeve e 9 golave në Championsin aziatik.
Broja, kur statistikat nuk kanë rëndësi
Numrat më të dobët i ka Broja: vetëm 261’ në një total prej 8 prezencash. Por sidoqoftë, 23 vjecari është nga ata që mund ta bëjë diferencën edhe pa minuta e të gjithë shpresojnë që Broja, ndaj Anglisë, t’i japë të drejtë Sylvinhos që e thërriti me vetëm 10’ në fushë pas dëmtimit të gjatë.
🏴 Angli 🆚 Shqipëri 🇦🇱
🏆 Kualifikueset e Botërorit 2026
📆 21 mars, ⏰20:45
🏟️ “Wembley”
📺 Digitalb & TV Klan #ENGALB #kombetarja #fshf #futboll pic.twitter.com/qpdrferB4y— FSHF (@FSHForg) March 20, 2025