Firma fantazmë në Holandë mashtron fermerin shqiptar, i merr me bankë 9160 euro dhe nuk i sjell jonxhën

3 Min Read

Fiks Fare udhëtoi në qytetin e Kuçovës, me kërkesë të ish fermerit Bledar Gega. Bledari ka pasur një fermë blegtorale në fshatin Qereshnik në Berat. Por, problemet me ushqimin e kafshëve, ku ra pre e një mashtrimi, e detyruan që ta mbyllte. Ai shiti mjetet dhe kafshët, pasi shteti shqiptar, por edhe ai holandez, nuk e ndihmuan të gjente personat që e mashtruan.

Ai thotë se ka pasur NIPT fermeri dhe merrej me dele dhe dhi, teksa kishte hapur edhe një fermë në një fshat të Beratit. Shton se, donte të blinte ushqim për blegtorinë dhe ka parë një njoftim në internet se një biznes në Holandë shiste jonxhë, ushqim për blegtorinë.

“E raportova ngjarjen në Prokurorinë e Beratit. U takova dy herë me prokurorin. Ai i pari u transferua në një prokurori tjetër dhe ia kanë kaluar çështjen dikujt tjetër. Kam shkuar tek prokuroria gati 50 herë, kam bërë kërkesë të takoj prokurorin e ri. Asnjë përgjigje, aq sa avokati u dorëzua e la çështjen”, thotë ai, teksa shton se prokurorja e re as do t’ia dijë fare.

Bledari është interesuar disa herë edhe në policinë dhe prokurorinë holandeze. Madje, ka shkëmbyer edhe informacion, por deri më sot s’është gjetur asnjë gjurmë e personave që e mashtruan.

“Shkova në Holandë vetë edhe hapa çështje në një stacion policie në Amsterdam, më 15 maj 2023. Kthehem në Holandë pas 8 muajsh, në shkurt 2024 të shikoj ç’bëhej por policia atje e kishte mbyllur çështjen”, pohon ai.

Fiksi analizoi disa fatura, që personat i kanë dërguar Bledarit. Në hyrje është edhe një adresë në shtetin Holandez, e firmës “MAICO BV”. Gazetarët bën një kërkim në internet, ku rezultoi se adresa ekziston në Holandë, por atje është vetëm një banesë private dhe jo selia e firmës.

Bledari nuk e ka lënë me kaq! Ai ka shkuar në adresën e firmës që do të niste mallin nga Holanda. Në një faturë që personat i kanë dërguar është edhe një adresë tjetër. Nëse do të bësh një kërkim në internet, rezulton se adresa ekziston. Por, nuk është selia e firmës dërguese, por e një firme tjetër. Në të gjitha dokumentet shoqëruese të mallit, është kjo adresë!

Personat i kanë dërguar Bledarit edhe deklaratat doganore, apo edhe certifikata për cilësinë e mallit. Të gjitha këto dokumente, por edhe pagesa nëpërmjet bankës, e bindën të bënte likuidimin. Por, kur i verifikoi vetë në Holandë, dolën të gjitha fiktive!

/TCH/

Share This Article
Leave a Comment