Berisha rekurs në Gjykatën e Lartë, kërkon shfuqizimin e masës “detyrim paraqitje” |

3 Min Read

Sali Berisha kërkon të shfuqizojë masën e sigurisë “detyrim paraqitje” në Gjykatën e Lartë, të caktuart nga Gjykata e Posaçme e Apelit në lidhje me dosjen për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Mësohet se Gjykata e Lartë ka regjistruar rekursin e ish-Kryeministrit kundër vendimit të gjyqtarit Engert Pëllumbi më 3 Janar, që caktoi ndaj tij masën e sigurisë “detyrimi paraqitje”.

Ndërkohë rekurs në Gjykatën e Lartë ka paraqitur edhe Jamarbër Malltezi, dhëndri i Berishës, i cili kërkon të shfuqizojë vendimin e Apelit të Posaçëm, që la të pa ndryshuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj tij.

Vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për t’i caktuar Berishës “detyrim paraqitje” u mor pas shqyrtimit të ankimimit të bërë nga dy prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, të cilët kërkonin rikthimin e “arrestit në shtëpi” për liderin demokrat. Gjyqtari i Apelit nuk pranoi kërkesën e SPAK, por gjithashtu prishi edhe vendimin e GJKKO-së të marrë nga gjyqtarja Flojera Davidhi më 27 Nëntor, e cila i revokoi të gjitha masat e sigurisë ndaj Berishës.

Lideri i opozitës e ka cilësuar vendimin e Apelit si një sulm politik ndaj tij, të porositur nga kryeministri Edi Rama në prag të fushatës zgjedhore.

Për dosjen “Partizani”, Berisha është marrë i pandehur për akuzën e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.

Gjyaqtarja Flojera Davidhi ende nuk e ka marrë vendimin nëse dosjen “Partizani” do e dërgojë ose jo për gjykim, apo mund ta kthejë pas për plotësim hetimesh ose e pushon çështjen.

Sipas SPAK-ut, Berisha në kohën kur ka qenë kryeministër ka vendosur në funksion të interesave të dhëndrit të tij Jamarbër  bazën ligjore, si edhe ka ushtruar presion mbi vartësit për të nxitur plotësimin sa më të shpejtë të procedurave të kthimit të pronës dhe privatizimit të godinave të degraduara të ish-klubit sportiv “Partizani”.

Sali Berisha ndodhej në izolim që prej 30 Dhjetorit të vitit 2023, kur Gjykata e Posaçme vendosi t’i caktonte masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi lideri demokrat nuk zbatoi masën e mëparshme “Detyrim paraqitje”, duke e konsideruar si antikushtetuese. Pas këtij vendimi, avokatët e Berishës kishin bërë një sërë ankimimesh për t’i revokuar masën “Arrest shtëpie”, por kërkesat e tyre ishin rrëzuar si në Shkallën e Parë, po ashtu edhe në Apelin e Posaçëm.

Share This Article
Leave a Comment