TIRANË – Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka kërkuar heqjen e masës së sigurisë “Detyrim Parqitje” të vendosur ndaj tij, në lidhje me çështjen “Partizani”.
Bëhet me dije se çështja për heqjen e masës së sigurisë është regjistruar këtë të premte në Gjykatën e Lartë. Po ashtu mësohet se edhe dhëndri i liderit demokrat Jamarbër Malltezi ka kërkuar heqjen e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi” të caktuar për të njëjtën dosje.
Berisha ka deklaruar më herët se vendimi për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nga Apeli i Posaçëm për çështjen “Partizani” është një krim kushtetues. Ai është shprehur se prokurorët e SPAK kanë kërkuar vendosjen e masave të sigurisë kundrejt tij me arsyetimin se ai po sulmon Prokurorinë e Posaçme dhe gjykatën.
Berisha u lirua më 27 nëntor 2024, pas rreth një viti në arrest shtëpiak, për shkak të akuzave për përfshirje në dosjen “Partizani.” Ish-kryeministri është marrë i pandehur për korrupsion pasiv, bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, i cili vazhdon të jetë në arrest shtëpie.