Rëndohet situata për Erion Veliaj, i komunikohet edhe një akuzë e re nga SPAK

3 Min Read

Erion Veliaj ka lënë përkohësisht ditën e sotme qelinë e paraburgimit në burgun e Durrësit dhe i shoqëruar nga forcat e Policisë ka dëshmuar në SPAK në lidhje me hetimet ndaj tij.

Burime për mediat bëjnë me dije se Veliaj është marrë në pyetje në prani të avokatëve të tij Ermir Beta dhe Artur Selmani dhe dëshmia ka zgjatur për rreth 1 orë e 30 minuta. Pas dëshmisë, ai është rikthyer sërish në qeli, teksa nuk kanë dhënë komunikime për mediat, as kryebashkiaku dhe as avokatët.

Burime për mediat bëjnë me dije se në paraqitjen e sotme në SPAK, prokurorët e Prokurorisë së Posaçme i kanë komunikuar shtimin e një akuze të re, atë për futjen e sendeve të ndaluara në qelitë e paraburgimit.

Referuar të dhënave që kanë dalë nga SPAK bëhet me dije se ditën kur Erion Veliaj u la në burg nga Apeli i GJKKO, diçka e pazakontë ka ndodhur në makinën me të cilën kryetari i bashkisë po transferohej nga paraburgimi i Durrësit për në Apelin e GJKKO në Tiranë më 13 Mars.

Një nga oficerët e burgjeve që shoqëronte kryetarin e bashkisë i ka dhënë këtij të fundit telefonin e tij me qëllim që Veliaj të bënte telefonata.

Mësohet se gjatë marrjeve në pyetje, oficeri i burgjeve e ka pranuar një fakt të tillë dhe ka deklaruar se e kishte bërë nga frika. Për këtë arsye Prokuroria e Posaçme ka marrë nën hetim oficerët e burgjeve, të cilët shoqëronin kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

Në fakt, edhe në sallën e gjyqit, në tri ditët e rivlerësimit të masës së sigurimit u fol për përgjime të kryera ndaj Veliajt, si shtesë në një tjetër material që dyshohet se do t‘i bashkëngjitet dosjes voluminoze me të cilën edhe u prangos.

Erion veliaj u arrestua mesditën e 10 Shkurtit në Bashkinë e Tiranës, teksa pas një hetimi 1 vjeçar, SPAK i ka ngritur akuzat për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Share This Article
Leave a Comment