“Përpjekjet e opozitës për të portretizuar konfliktet e saj të brendshme apo problemet e saj me ligjin si çështjen më të rëndësishme të vendit janë kulmi i hipokrizisë”. Kështu ka deklaruar presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, një ditë pas arrestimit të kryetarit të bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu.
Një figurë e shquar e opozitës dhe rivali i tij kryesor, Imamoglu u arrestua me akuza përfshirë korrupsionin dhe ndihmën ndaj terrorizmit. Partia kryesore opozitare e konsideroi këtë “një grusht shteti ndaj presidentit të ardhshëm të vendit”.
Arrestimi i tij ka shkaktuar protesta të forta në të gjithë vendin. “Nuk kemi kohë për shfaqje opozitare, as në nivel personal, as në nivel partiak apo aleance”, shtoi presidenti turk.
“Media dhe partia opozitare nuk janë në gjendje t’i përgjigjen akuzave të bëra nga drejtësia, si për çështjen e diplomës, ashtu edhe për çështjen e korrupsionit”, shtoi lideri turk, duke iu referuar akuzave ndaj Imamoglut dhe faktit se një ditë para arrestimit, Universiteti i Stambollit kishte anuluar certifikatën e diplomës së kryetarit të Stambollit, duke e konsideruar atë të rreme.
Një valë protestash masive shpërtheu në Turqi, veçanërisht në Ankara pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit. Qytetarë të shumë manifestuan për disa orë kundër vendimit, duke e konsideruar një sulm politik ndaj opozitës.