Tre persona janë arrestuar nga Policia e Fierit gjatë orëve të fundit, të akuzuar për plagosje me thikë, dhunë në familje dhe drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Shërbimet e Komisariatit Lushnjë bënë sot (20 mars) me dije se arrestuan në flagrancë Pëllumb Zako, 41 vjeç, banues në fshatin Krutje.
Ai dyshohet se për motive të dobëta ka dëmtuar lehtë, me mjet prerës (thikë), të afërmin e tij 27-vjeçar, B. Zako. Mjeti prerës u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Kurse Benard Mullaliu, 38 vjeç, banues në fshatin Ballagat, u prangos pasi ka ushtruar dhunë ndaj gjyshes së tij të moshuar. 80-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e policisë vendore dhe hetimet po i ndjek Prokuroria për rastin.
Ndwrsa specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë 30-vjeçarin F. K., banues në Fier, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.