TIRANË- Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës Erion Veliaj ka lënë qelinë ditën e sotme për tu marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme, në lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj tij. Mësohet se Veliaj në orët e para të paradites së sotme ka shkuar në SPAK, i shoqëruar nga oficerët e policisë së burgut.
Veliaj ka qëndruar rreth 1 orë e gjysëm në SPAK për tu marrë në pyetje. Ndërkohë që pas përfundimit të dëshmisë është nisur sërish në paraburgimin e Durrësit.
Arrestimi i Veliajt
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi “detyrim paraqitje”.
Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.