Deputeti opozitar Dashnor Sula ka deklaruar në Klan News se, deri dje, babai i tij shpirtëror ka qenë Sali Berisha, por ka mbetur i zhgënjyer.
Dash Sula premtoi publikisht se nëse PD e Berishës mund Ramën, do i ulet në gjunjë, do i kërkojë falje dhe do i puthë këmbët. Por po ashtu thotë se nëse PD e tij humbet, duhet që Berisha dhe njerëzit e afërt me të, të mos justifikohen me vjedhjen e zgjedhjeve, sepse përndryshe partia do shkojë drejt zhdukjes.
“Unë e kam thënë dhe s’kam turp ta them që për mua deri dje Sali Berisha ka qenë babai im shpirtëror, por jam i zhgënjyer shumë. Biologjik është Rizai. I them Sali Berishës që nëse mund Edi Ramën dhe PS-në do i ulem në gjunjë, do i kërkoj falje, do i puth këmbët. Dhe nëse Sali Berisha dhe PD humbet, do duhet që Sali Berisha dhe ata afër me Sali Berishën të mos justifikohen më na i vodhi, por duhet të bëjnë kthesën 180 gradë që opozita duhet të bëhet alternativë të mundë Edi Ramën. Po vazhduam kështu do vemë drejt zhdukjes”, tha Sula.
Dashnor Sula theksoi se deri pas 11 Majit nuk do të shkojë në asnjë forcë tjetër politike, ama nënvizoi se nuk do ta mbyllë karrierën politike. Këtu u shpreh hapur për përfaqësuesit e PD-së, që sipas tij, “e hodhën në rrugë si qen”.
“Të thashë do dua të vdes te PD, por më ndërprenë karrierën, më mbyllën derën, më falni, por më hodhën në rrugë si qen, aq sa kam dhënë për atë parti dhe ata drejtues partie. Çfarë kam parë, çfarë kam dëgjuar, çfarë kam folur në 20 vite për atë parti me figurat e lartë të partisë, se vijat e kuqe nuk i shkel dhe do dëshiroja që edhe nga zotërinjtë t’i ruajmë këto vija të kuqe, ama politikisht, nuk do pushoj. Gjëra të tjera, çfarë janë miqësore, personale, varrosen aty dhe do varrosen në zemrën time dhe në shpirtin tim”, tha Sula.