Një 57-vjeçar është arrestuar nga policia e Vlorës, në kuadër të operacionin policor të koduar “Explosion”.
Bëhet fjalë për 57-vjeçarin Xhevair Sinanaj, të cilit iu gjetën 3 armë zjarri dhe një sasi lënde eksplozive e ndarë në 10 kallëpe.
Sipas policisë, dyshohet se ai i mbante të fshehura për llogari të grupeve kriminale.
“Bazuar në të dhënat e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e specializuara të DVP Vlorë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Explosion”, duke goditur një rast të armëmbajtjes pa leje dhe posedimit të lëndëve eksplozive.
Gjatë operacionit, në fshatin Gorrisht, Selenicë, lagjja Rexhepaj, u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. S., 57 vjeç, banues në këtë zonë.
Gjatë kontrollit të ushtruar pranë banesës së tij, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
• 3 armë zjarri, të fshehura në një çantë.
• Një sasi lëndë eksplozive plastike, e ndarë në 10 kallëpe, gati për përdorim.
Nga hetimet rezulton se këto armë dhe lëndë eksplozive plastike dyshohen se mbaheshin të fshehura nga 57-vjeçari për llogari të grupeve kriminale, me qëllim përdorimin në aktivitete të paligjshme.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale“, thuhet në njoftimin e poliisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.