Kush është përgjegjës për vdekjet në Maqedoninë e Veriut? 

4 Min Read

59 të vdekur dhe mbi 150 të lënduar, ky është rezultati i hidhur i zjarrit në qytetin Koçan në Maqedoninë e Veriut. Mosrespektimi i ligjeve dhe korrupsioni prej dekadash çuan në këtë tragjedi të paprecedentë. 

“Vrasës, vrasës”, “Kërkojmë drejtësi” qytetarët e Koçanit në Maqedoninë e Veriut janë të revoltuar pas aksidentit në lokalin e natës Pulse, ku humbën jetën 59 vetë. Për të shfryrë zemërimin ata shkatërruan edhe një kafene që i përkiste pronarit të klubit të natës dhe sulmuan kompaninë e tij të logjistikës, duke thyer xhamat dhe duke prishur një automjet dhe orenditë. 

Qindra demonstrues të zemëruar u mblodhën edhe para bashkisë për të kërkuar sqarime dhe pasoja. Nën tronditjen e fatkeqësisë së shkaktuar nga zjarri dhe presionit të qytetarëve të zemëruar kryetari i bashkisë, Ljupço Papazov, dha dorëheqjen. 

Por procesi i analizës së fatkeqësisë sapo ka filluar. Ekspertët thonë se shkaqet e zjarrit janë komplekse dhe lidhen me disa dekada korrupsioni dhe mosrespektimi të ligjeve dhe rregulloreve. 

Lakmia vret 

Dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë në Universitetin e Shkupit, Goran Markovski, shpreson se incidenti tragjik do të sjellë ndryshime në vetëdijen e publikut dhe të përgjegjësive. Ai tha në televizionin kombëtar TV24 se diskoteka nuk kishte as sistem automatik të fikjes së zjarrit, as ndërprerje automatike të rrymës elektrike apo dalje emergjente. Sipas Markovskit pronari i diskotekës kishte dashur të kursente kostot për masat e sigurisë. 

“Lakmia po vret tani edhe fëmijët tanë. 70 deri në 80 për qind e objekteve që përdoren për qëllime të tilla në Maqedoninë e Veriut nuk janë në përputhje me rregulloret përkatëse”, tha Markovski. 

“Erozion i sistemit” 

Në opinionin publik në Maqedoninë e Veriut po vlon zemërimi për mosrespektimin flagrant të rregulloreve ligjore, rritjen e korrupsionit dhe sistemin e dominuar nga dy partitë kryesore të vendit. Duke përshkruar gjendjen prokurori Ljupço Kocevski tha se në Maqedoninë e Veriut sundon një “erozion i plotë i sistemit”. 

Ekspertët bëjnë thirrje për ndryshime 

Goran Markovksi nga Universiteti i Shkupit thotë se “Në çdo rast aksidenti del se ka probleme me dokumentacionin dhe lejet, ndaj është e dukshme që sistemi ka dobësi”. Diskoteka në Koçan nuk duhej kurrë të lejohej të funksiononte për një periudhë kaq të gjatë pa masat përkatëse të sigurisë. 

Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili  shkoi në vendin e aksidentit së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme Toskovski, paralajmëroi se të gjithë përgjegjësit do të dalin para drejtësisë. 

Pa ndryshime fatkeqësi të tilla do të përsëriten 

Drejtori i Institutit për Demokraci në Shkup, Marko Trosanovski, thotë se korrupsioni është modus operandi në shoqërinë maqedonase. “I gjithë sistemi është ndërtuar mbi klientelizëm, prandaj nuk bazohet në procedura të rregulluara, por në ryshfet dhe interesa të tjera”, tha ai në një intervistë për DW. “Korrupsioni është i përhapur, që nga mësuesit nëpër shkolla që mbyllin sytë dhe japin nota të mira e deri tek inspektorët që lëshojnë leje për një lokal nate që nuk i plotëson aspak kriteret. 

Rezultati është tragjedi si fatkeqësia e Koçanit. Trosanovski mendon se fatkeqësi të tilla do të përsëriten, nëse në Maqedoninë e Veriut nuk ndryshon asgjë. “Ne kemi nevojë për ndërgjegjësim publik dhe një ndryshim në kulturë poltike në mënyrë që partitë politike të emërojnë njerëz me integritet në vend të besnikëve. 

Share This Article
Leave a Comment