Shtetasi Xhevahir Sinanaj është arrestuar këtë të enjte në qytetin e Vlorës, pasi mbante armë zjarri dhe një sasi me lëndë eksplozive plastike, për llogari të grupeve kriminale.
Bazuar në të dhënat e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e specializuara të DVP Vlorë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Explosion”, duke goditur një rast të armëmbajtjes pa leje dhe posedimit të lëndëve eksplozive.
Gjatë operacionit, në fshatin Gorrisht, Selenicë, lagjja Rexhepaj, u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. S., 57 vjeç, banues në këtë zonë.
Gjatë kontrollit të ushtruar pranë banesës së tij, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
- 3 armë zjarri, të fshehura në një çantë.
- Një sasi lëndë eksplozive plastike, e ndarë në 10 kallëpe, gati për përdorim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.