Bëri aksident në gjendje të dehur, SPAK dërgon për gjykim deputetin demokrat |

2 Min Read

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar për gjykim deputetin e Partisë Demokratike për Qarkun e Elbasanit, Qani Xhafa.

Ky i fundit akuzohet për shkaktimin e një aksidenti automobilistik në Elbasan, më 11 Mars të vitit 2023, ku dyshohet se ishte në gjendje të dehur. Qani Xhafa është marrë i pandehur nga SPAK për kryerjen e veprës penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se më 11 mars 2023, i pandehuri Qani Xhafa, aktualisht Deputet në Kuvendin e Shqipërisë, duke drejtuar në gjendje të dehur automjetin tip Toyota me targa AB 457 IJ, në Bulevardin “Qemal Stafa”, Elbasan ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke u përplasur me një shtyllë të ndriçimit rrugor. Nga aksidenti janë shkaktuar dëme të lehta materiale. I pandehuri Qani Xhafa ushtron funksionin e Deputetit në Kuvendin e Shqipërisë prej datës 19 Maj 2023.” – thuhet në njoftimin e SPAK.

Aksidenti u regjistrua më 11 Mars të vitit 2023 në bulevardin “Qemal Stafa” në Elbasan, ku Qani Xhafa duke udhëtuar në gjendje të dehur, u përplas me trafik ndarësen në rrugë, e më pas u vu në pranga.

Duke qenë se në atë kohë, Xhafa nuk e kishte marrë ende mandatin e deputetit, çështja u hetua nga Prokuroria e Elbasanit, por pas hetimeve Gjykata nuk dha vendim, për arsye moskompetence pasi Xhafa më 19 Maj mori mandatin e lënë nga Luçiano Boçi.

Gjithsesi, as GJKKO nuk dha dënim, por gjyqtari Erjon Çela ia kaloi për hetim SPAK-ut, me arsyetimin se ai ishte hetuar nga një prokurori jokompetente.

Share This Article
Leave a Comment