Edhe në zjgedhjet e 11 Majit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës duket se është vënë në shërbim të partisë në pushtet duke dhënë legalizime dhe certifikata pronësie në këmbim të votave.
Të paktën këtë gjë na lë të nënkuptohet një postim në rrjetet sociale i kryetares së Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, e cila njofton se “rreth 300 dosje janë plotësuar me elementët e duhur nga grupet e terrenit dhe për gati 90 banesa janë gjeneruar Vendimet e Legalizimeve/Çertefikatat e Pronësisë”.
“Grupet e terrenit” duket se janë urdhër nga Belinda Balluku që të shkojnë derë më derë në Qarkun e Fierit për legalizimet, edhe pse Kadastra nuk është një institucion në varësi të saj, por ndërkohë, Majlinda Bufi ka marrë guximin që këtë gjë ta tregojë hapur.

Aktualisht, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve e ka ndaluar dhënien e legalizimeve dhe certifikatave të pronësisë, për shkak të zgjedhjeve të 11 Majit dhe nëse grupet e Kadastrës kanë zbarkuar aktualisht në terren janë në shkelje të ligjit.
Majlinda Bufi u kallëzua në SPAK nga opozita edhe sa i përket zgjedhjeve lokale të vitit 2023 për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”. Ajo u thirr për të dëshmuar në SPAK në Maj të vitit 2024 për atë kallëzim, por më pas çështja kaloi në heshtje dhe drejtësia nuk mori asnjë masë ndaj saj.
