Gazetari Berat Buzhala komentoi gjetjet e Barometrit në Euronews Albania lidhur me matjet e para politike për zgjedhjet e 11 majit në qarkun e Tiranës.
Ai theksoi se faktori që dy partitë e mëdha paraqiten më dobët në Tiranë se sa në nivel kombëtar është konkurrenca e fortë që po iu bëjnë partitë e vogla. Buzhala shprehu bindjen se këto zgjedhje mund të shënojnë fillimin e fundit të dominimit të Partisë Demokratike (PD) dhe Partisë Socialiste (PS), duke hapur rrugën për një demokratizim të skenës politike në Shqipëri.
Ai theksoi se është një ndryshim i qartë në këtë periudhë, duke shtuar se PS dhe PD janë më të dobëta në Tiranë se në rang kombëtar. PS është 3,9% më dobët në Tiranë, ndërsa PD 3,2% më pak. Sipas Buzhalës, partitë e reja po konkurrojnë fuqishëm, dhe kjo mund të sjellë një skenë politike më të pasur, ku mund të futen 3 parti të reja në Kuvend. Ai shtoi se rrjetet sociale janë më të forta tani sesa para katër vjetësh, dhe pritet që këto zgjedhje të sjellin surpriza pozitive për të rinjtë e politikës shqiptare.