Rreth 1100 investime të realizuara që nga 2013/ Kredi e Butë dhe Garanci Sovrane për bujqësinë, AZHBR informon përfaqësuesit e bizneseve dhe bankave

2 Min Read

Qeveria ka lacuar Kredinë e Butë dhe Garancinë Sovrane, dy instrumenta financimi për rritjen e aksesit në kreditim të sektorëve të bujqësisë dhe agroturizëm.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bashkë me zv.ministrin, Dhimo Kote dhe drejtoreshën e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Ardita Kuçi biseduan me përfaqësues të bizneseve dhe bankave të nivelit të dytë për këto dy linja të reja financimi.

Denaj tha se, kjo paketë financimi për bizneset e vogla dhe të mesme në sektorin bujqësor, ka për qëllim nxitjen e investimeve dhe rritjen ekonomike.

Gjatë takimit ministrja Denaj vuri në dukje se, “Kredia e Butë me një linjë financimi 250 milionë euro dhe me normë interesi 3.5%, e kombinuar me Garancinë Sovrane, e ul normën e interesit në 2% dhe mbulon kolateralin deri në 70%”.

“Janë 1089 investime të realizuara që prej vitit 2013, me mbështetjen financiare të 125 milionë eurove që ka adresuar qeveria për skemave dhe programeve të ndryshme”, tha Denaj.

Ndërsa Kuçi vuri në dukje se, Garancia Sovrane lehtëson shumë financimin e fermerëve dhe bizneseve në sektorin agro duke i siguruar 70% të kolateralit.

Ajo tha se nga informacionet që kanë marrë nga bankat kanë filluar edhe aplikimet e para.

Idlir Mezini, përfaqësues i një banke të nivelit të dytë tha se, ne përqasim këtë iniciativë të qeverisë për bujqësinë dhe do të mbështesim gjithë bizneset që do të ofrohen për të marrë financim përmes kësaj skeme.

Fatbardh Belba përfaqësues biznesi e cilësoi këtë një nismë shumë të domosdoshme që ka marrë qeveria për mbështetjen e bujqësisë.

Ndërsa Muhamed Gjoni tregoi se e ka gati projektin për investimin në një linjë të prodhimit të vajit të ullirit dhe përmes këtij financimi mund ta bëj realitet synimin e tij.

Bekim Alushin nga një bankë tjetër tha se, “ky financim është një shtysë për investime në bujqësi”.

Ministrja Denaj theksoi se, nëse ne do të vazhdojmë mbështetjen me financim të sipërmarrjes rezultati është i padiskutueshëm.

Share This Article
Leave a Comment