Në Spanjë, çështja e penalltisë së goditur kundër Real Madrid në Champions nga Julian Alvarez është ende një plagë e hapur. Hipoteza e fundit mbi këtë çështje vetëm sa ka shtuar më shumë zemërimin dhe zhgënjimin: videoja e publikuar nga UEFA pothuajse 48 orë pas anulimit të diskutueshëm të golit për shkak të një prekjeje të dyfishtë në momentin e goditjes duket se ka diçka të çuditshme. Një sërë defektesh dhe mospërputhjesh kanë ngritur dyshime se videoja mund të jetë manipuluar në njëfarë mënyre.
Atletico Madrid vazhdon të shfaqë zemërim, i bindur se sulmuesi i tij nuk ka kryer asnjë shkelje dhe se nuk ka prova të mjaftueshme (madje as imazhet e ofruara nuk janë mjaft të qarta) për ta vërtetuar këtë me siguri. Për këtë arsye, u konsiderua edhe mundësia (më pas e lënë mënjanë) e paraqitjes së një ankese formale kundër vendimit të mbështetur nga arbitri Marciniak dhe i konfirmuar nga ndërhyrja e VAR-it.
Akuza e ekspertit të montazhit
Goditja e penalltisë së anuluar, që ndikoi në kualifikimin për çerekfinale, është analizuar në detaje: është shqyrtuar kuadër pas kuadri, janë zbuluar të gjitha aspektet më të diskutueshme teknike dhe më pas janë renditur në një raport që një ekspert montazhi, Alex Soler, e shpjegoi gjatë emisionit Good Night and Good Goals. “Gjëja e parë që vura re ishte cilësia shumë e dobët e imazheve, pastaj duket sikur hijet zhduken. Ky është një detaj që më bëri të dyshoj dhe për të cilin nuk kam një shpjegim logjik. Prandaj, më lindi dyshimi i fortë se po përballemi me një video të modifikuar.”
Kjo teori u mbështet edhe nga gazetarja Irati Vidal, e cila shtoi: “Ka një ndryshim të madh midis klipit që kemi parë të gjithë drejtpërdrejt dhe atij që iu tregua UEFA-s. Pse nuk e publikuan menjëherë për të qartësuar çdo dyshim? Kjo është arsyeja pse mund të mendohet për një manipulim”.
🚨 El vídeo que proporciona UEFA sobre la polémica de Julián Álvarez.
Parece que en esta toma es más evidente el toque. pic.twitter.com/wjcB0Tt0ta
— Dani Martidí (@danimartidi) March 13, 2025
Çfarë do të ndodhë tani?
Asgjë revolucionare. Nuk ka asnjë mundësi që një ankesë zyrtare, e paraqitur para organeve kompetente, të çojë në përsëritjen e ndeshjes apo të paktën në rikthimin te sekuenca e penalltive nga ai moment vendimtar (goditja e Alvarez). Do të duhej të vërtetohej në mënyrë të padiskutueshme se ka pasur një “gabim të qartë dhe evident” teknik nga ana e arbitrit. Sa i përket hipotezës së manipulimit të mundshëm të videos, ajo vetëm sa nxit emocionet dhe pakënaqësinë për një vendim të fushës që u konsiderua i padrejtë dhe zhgënjyes.