Pakti me Shqipërinë për emigrantët, Meloni: Shembull për Europën

2 Min Read

Nga foltorja e senatit italian, kryeministrja Meloni vlerësoi nismën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që në samitin e liderëve evropianë, këtë fundjavë në Bruksel t’i hapet rruga marrjes për bazë të modelit italoshqiptar për hapjen e qendrave për menaxhimin e azilkërkuesve jashtë BEsë.

“Përsa i përket protokollit me Shqipërinë ju i kuptoni arsyet pse për momentin zbatimi i tij është pezulluar. Kjo çështje po shqyrtohet nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Shumica e shteteve anëtare të BEsë dhe Komisioni Evropian mbështesin qëndrimin e qeverisë italiane për këtë çështje. Në propozimin e presidentes së KE, Ursula von der Leyen për Këshillin Evropian, që mblidhet këtë fundjavë, thuhet se duhen hapur qendra pritjeje në shtete të treta jashtë BEsë, për shqyrtimin e kërkesave të azilkërkuesve. Kjo nuk do të ndodhte nëse Italia nuk do të kishte kurajon që të inicionte protokollin me Shqipërinë. Me këtë kurajo ne u përcollëm të tjerëve në BE zgjidhje inovative për të përballuar së bashku flukset emigratore”.

Vetë Ursula von der Leyen në letrën e saj për krerët e shteteve anëtare të BEse, shkruan:

“Ne po hapim mundësinë që shtetet anëtare të krijojnë “qendra riatdhesimi” në shtetet e treta jashtë BEsë. Ky është një element i rëndësishëm i diskutimit tonë mbi zgjidhjet inovative për të trajtuar me vendosmëri migrimin e paligjshëm, në bashkëpunim me vendet partnere,  duke siguruar që të drejtat themelore të azilkërkuesve të garantohen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Më 20 mars në samitin e liderëve evropiane në temën e përballimit të emigracionit të paligjshëm pritet që operacionet e riatdhesimit të mund të organizohen drejtpërdrejti nga Frontex me vendet e treta jashtë BEsë. Pakti për emigracionin krijon mundësi që të thjeshtohen procedurat e azilit. Komisioni Evropian aktualisht po përgatit një listë të vendeve të sigurta të origjinës që duhet të miratohet nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian në javët e ardhshme.

Klan News

Share This Article
Leave a Comment