Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, mirëpriti sot ambasadorët austriakë që shërbejnë si të tillë në shtetet e Ballkanit së bashku me përfaqësues të trupës drejtuese të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë.
Begaj shfrytëzoi këtë takim për të shprehur mirënjohjen për mbështetjen që vendi i tyre, Austria ka dhënë ndaj Shqipërisë në momentet kyçe të historisë, përfshirë dhe ndihmën në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Duke folur për raportet e fqinjësisë së mirë në rajon, Presidenti Begaj theksoi se për forcimin e dialogut Austria ka luajtur rolin e saj me ngritjen e grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, ndërsa solli në vëmendje prioritetet e Shqipërisë për ruajtjen dhe zhvillimin e bashkëpunimit mes shteteve të rajonit, kontributin e faktorit shqiptar në stabilitetin politik, paqen, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik.
Ai tha se “Shqipëria është e vendosur në qëndrimet e saj ndaj tyre dhe se popujt e Ballkanit kanë një moment mundësie historike në kuadrin e integrimit Euroatlantik që duhet ta shfrytëzojnë në dobi të së ardhmes së tyre e begatimit të jetës së qytetarëve të tyre.”
Rol stabilizues në këtë drejtim luajnë dhe nismat ndërrajonale, përmes të cilave shtetet e bllokut ballkanik janë të angazhuara të përmbushin integrimin e plotë Euroatlantik, si e vetmja rrugë për të garantuar sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin.