Tiranë – Gjykata Kushtetuese pranoi të mërkurën kërkesën e avokatit Dorian Matlija, përfaqësues i gazetarit të Ora News Elton Qyno, për të ndryshuar objektin e padisë, duke shtuar kërkesën për fshirjen e kopjeve virtuale të të dhënave të sekuestruara nga telefoni i tij me vendim të Gjykatës së Posaçme në dhjetor 2023.
Qyno ka paditur në Kushtetuese vendimet e Gjykatës së Posaçme që lejuan sekuestrimin e pajisjeve të tij elektronike, kontrollin e banesës dhe kontrollin personal, pas një hetimi të nisur nga SPAK për nxjerrjen e sekretit hetimor. Ai kërkon shfuqizimin e këtyre vendimeve, duke i cilësuar si shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut.
Avokati Matlija argumentoi në seancë se mbajtja në sekuestro e kopjeve virtuale të telefonit të gazetarit rrezikon ekspozimin e burimeve të tij, duke cenuar lirinë e shtypit. Për këtë arsye, ai kërkoi ndryshimin e objektit të padisë, duke përfshirë kërkesën për shkatërrimin e të dhënave të kopjuara nga autoritetet.
Pas një ndërprerjeje të shkurtër, Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën, duke e konsideruar atë të lidhur me pretendimet e mëparshme për shfuqizimin e vendimeve gjyqësore që çuan në sekuestrimin e pajisjeve elektronike.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme, Bledar Maksuti dhe Olsi Dado, kërkuan kohë për t’iu përgjigjur kërkesës së re. Gjykata pranoi kërkesën dhe vendosi të shtyjë seancën për më 2 prill, duke i dhënë palëve afat për të dorëzuar përgjigjet me shkrim deri më 26 mars.
Gazetari Elton Qyno u mor në pyetje në dhjetor 2023 lidhur me rrjedhjen në media të materialeve nga një dosje hetimore mbi disa krime të rënda. Pas një kontrolli në banesën e tij, SPAK sekuestroi telefonat dhe pajisjet elektronike të gazetarit, një veprim që ai dhe avokati i tij e kundërshtojnë si shkelje e të drejtave të gazetarëve.
Në nëntor 2023, Gjykata e Posaçme caktoi ndaj Qynos masën e detyrimit për paraqitje, nën dyshimet për korrupsion pasiv në sektorin privat, në lidhje me një procedim penal të hapur për organizatën kriminale të drejtuar nga Suel Çela. Megjithatë, në janar 2024, Apeli i Posaçëm rrëzoi masën e sigurisë së vendosur nga shkalla e parë.
Vazhdimi i procesit në Kushtetuese pritet të përcaktojë fatin e të dhënave të sekuestruara, si dhe të vlerësojë nëse vendimet gjyqësore që lejuan sekuestrimin dhe kontrollin e Qynos bien ndesh me të drejtat e tij kushtetuese si gazetar.