Në një varrezë masive në Bishtazhin të Gjakovës janë gjetur eshtrat e 11 shqiptarëve të Kosovës që ishin zhdukur gjatë luftës me Serbinë. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti përmes një reagimi në rrjetet sociale, duke sqaruar se këto viktima ishin rrëmbyer nga forcat shtetërore të Serbisë pas masakrës në fshatin Kralan.
“Pas 26 pranverash në pritje e ankth të familjeve, 11 të zhdukur gjatë luftës janë gjetur dhe identifikuar në varrezën masive në Bishtazhin. Pas masakrës në Kralan, forcat shtetërore të Serbisë, i kishin rrëmbyer dhe groposur në varreza masive, në përpjekje që t’i zhdukin, bashkë me dëshmitë e krimeve. Më 2 prill 1999, ata, bashkë me qindra burra dhe djem shqiptarë, u grumbulluan me dhunë nga forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, në një fushë në Kralan, rrethuar me tanke. Aty u mbajtën nën tortura të vazhdueshme, pa ujë dhe ushqim për dy ditë. Më 4 prill, nga ta u ndaluan 86 burra dhe djem, ndër të cilët 11 ishin të mitur. Që nga ajo ditë, askush nga ta më nuk është parë i gjallë. Disa prej tyre ishin gjetur në afërsi të liqenit Peruqac në Bajina Bashta të Serbisë. Pas zhvarrosjes nga Bishtazhini, Serbia i rrëmbeu kufomat”, informon shefi i qeverisë së Prishtinës.
Kryeministri thotë se plagët e hapura të zhdukjeve me dhunë janë e vërteta e krimeve çnjerëzore dhe gjenocidit të kryer nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.
“Në këto ditë të rënda nuk është e lehtë të gjenden fjalë ngushëllimi që mund të plotësojnë zbrazëtinë që ka lënë mungesa e tyre. Është e vështirë të gjejmë fjalë mjaftueshëm të fuqishme për të përshkruar forcën dhe durimin e palëkundshëm të familjarëve përgjatë këtyre viteve. Në këto ditë, e çdo ditë tjetër, të përbashkët e kemi dhembjen dhe nderimin për martirët e dëshmorët e kombit në Kosovë. Qëndrojmë bashkë për të mos lejuar harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë. Jemi të përbashkuar në betejën për të vërtetën dhe drejtësinë. Jemi pranë familjeve, me gjithë përkrahjen e mundshme, në këtë rrugëtim të vështirë të dhembjes dhe kujtesës. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë të dashurit tonë që sakrifikuan jetën për lirinë që ne e gëzojmë. Lavdi!”, ka përfunduar ai.
Kurti po ashtu ka publikuar edhe emrat e personave të identifikuar në këtë varrezë masive.
ESHTRAT I PERKASIN:
– Adem Gashit
– Sahit Gashit
– Bekim Hasanit
– Sheremet Ismajlit
– Mentor Myrtajt
– Osman Fejzës
– Shkelzen Hajdarajt
– Bekim Gashit
– Sabedin Kryeziut
– Mentor Kryeziut
– Vehbi Halilajt