Dumani kërkon në KPA shkarkimin e gjyqtares Mirela Mishgjoni |

9 Min Read

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të mërkurën më 14 mars me konkluzionet përfundimtare në çështjen e gjyqtares së Vlorës, Mirela Mishgjoni, konfirmimi në detyrë i së cilës u ankimua për provleme në kriterin e pasurisë. Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani deklaroi se u qëndronte shkaqeve të ankimit dhe parashtrimeve, duke kërkuar ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtares Mishgjoni për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë. Subjekti nga ana e saj deklaroi se kishte arritur të provonte ligjshmërinë e burimeve të pasurive që zotëron, ndërsa disa pasaktësi në deklarime i cilësoi si jo penalizuese. Në përfundim, Mishgjoni kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin e saj në detyrë.

Në përfundim të hetimeve paraprake, KPK konstatoi pamundësi në vlera të mëdha të familjes së Mishgjonit për mbulimin e shpenzimeve, investimeve dhe krijimin e pasurive para detyrës, për shkak të mosnjohjes së të ardhurave të bashkëshortit nga shitja e pjesës takuese në një fabrikë vaji në Vlorë në vitin 1997, shitja e një restoranti në Itali në 2004-ën, si dhe nga puna si shef kuzhine në Shqipëri, pasi nuk ishin paguar në kohë detyrimet tatimore.

Megjithatë, pas shpjegimeve të subjektit, shumica e trupës së KPK vlerësoi se nuk kishte ndonjë të dhënë prej nga mund të ngriheshin dyshime se Mishgjoni, me deklarimin e të ardhurave, ka synuar të mashtrojë organet e vetingut dhe e konfirmoi atë në detyrë më 5 prill të vitit 2024.

Ndërkohë, pakica çmoi se të ardhurat e deklaruara nga aktiviteti bashkëshortit, janë jo vetëm të paprovuara se janë përfituar lidhur me kohën e shumën, por edhe të panënshtruara pagimit të detyrimeve tatimore.

Bazuar në rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM që e çmoi vendimarrjen e shumicës në keqinterpretim të provave dhe me arsyetim të pamjaftueshëm, institucioni i Komisionerëve Publikë ushtroi ankim duke kërkuar shkarkimin e Mishgjonit për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.

Shkaqet e ankimit të parashtruara në KPA të mërkurën nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani dhe në seancën parardhëse nga i autorizuari prej tij, prokurori Adnan Xholi, kanë të bëjnë me pamundësinë e vërtetimit të ligjshmërisë së të ardhurave të bashkëshortit të subjektit nga shitja e aktivitetit në Itali, nga shitja e një fabrike vaji në Shqipëri në vitin 1997, si dhe ato të përfituara po prej bashkëshortit nga puna si shef kuzhine në Vlorë, pasi nuk janë paguar detyrimet tatimore. Për të ardhurat nga shitja e fabrikës në ’97-ën, konstatohet se ato as nuk janë deklaruar si burime në vite dhe në deklaratën veting.

Drejtuesi i SPAK, u shpreh se për këto arsye, nuk mund të provohet e kundërta e barrës së provës për pamundësinë e konstatuar lidhur me blerjen e një apartamenti në vlorë në vitin 1996.

Dumani vërejti se pasuria është blerë në kohën kur subjekti kishte filluar bashkëjetesën me bashkëshortin, ndërkohë që ajo kishte punuar më parë si gjyqtare.

Sipas Dumanit, subjekit nuk arriti dot të vërtetonte as likujditetet që janë pretenduar si burim për dhënien e dy huave familjarëve të subjektit, kthimi të cilave është deklaruar më vonë si burim për krijimin e pasurive, të një automjeti dhe një apartamenti. Për një prej huave, u konstatua se deklarata noteriale është kryer gjashtë vjet pas transaksionit të pretenduar, kur është pyetur në ILDKPKI në vitin 2015 për burimet e një automjeti.

Tjetër shkak ankimi i parashtruar nga Dumani ishte dhe deklarimi i pamjaftueshëm për blerjen e një sipërfaqe toke nga bashkëshorti për shumën 1 milion e 60 mijë lekë, kur në kontratën e shitjes është shënuar dhe çmimi i referencës për këtë pasuri në vlerën 6.3 milionë lekë.

Po ashtu, u konstatua se subjekti është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit në shqyrtimin e një çështje për lëshim të menjëhershëm urdhëri mbrojtjeje, ku palë ka qenë një nga shitësit e tokës. Sipas ankimit, kur Mishgjoni ka paraqitur kërkesën për dorëheqje, ka argumentuar se çështja nuk duhet të gjykohet nga ana e saj që i përket seksionit familjar, por të gjykohet nga të gjithë gjyqtarët e juridiksionit të përgjithshëm të shkallës së parë dhe duhet t’i nënshtrohen shortit elektronik. Por, sipas drejtuesit të SPAK, subjekti nuk ka parashtruar si shkak interesat pasurorë.

Në përfundim, prokurori Dumani kërkoi ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyrë të gjyqtares Mirela Mishgjoni.

Edhe subjekti iu përmbajt parashtrimeve të saj të seancës së mëparshme. Në mënyrë të përmbledhur ajo paraqiti konkluzionet përfundimtare, duke kërkuar që të konsiderohen sit ë lgijshme të gjitha të ardhurat e bashkëshortit, që i ka vlerësuar të tilla edhe Komisioni.

Mishgjoni deklaroi se drejtuesi i SPAK nuk paraqiti asnjë shtesë veç shkaqeve të ankimit, si edhe asnjë analizë financiare.

Lidhur me kërkimin për moskonsiderimin e të ardhurave të bashkëshortit nga puna në Itali dhe shitja e aktivitetit atje, Mishgjoni solli në vëmendje praktikën e KPA, që sipas saj përcakton se subjektet e rivlerësimit nuk kanë detyrim për të vërtetuar ligjshmërinë e të ardhurave e krijuara nga personat e lidhur para se të jetonin në bashkësi. Sipas saj, kur bashkëshorti i ka krijuar këto të ardhura në Itali, ata nuk e kishin filluar ende bashkëjetesën.

Ajo këmbënguli se të ardhurat e bashkëshortit janë të ligjshme, pasi janë deklaruar në organet tatimore. Sipas subjektit, nga ana e SPAK nuk u evidentua që këto të ardhura të jenë përfituar nga ndonjë aktivitet i paligjshëm dhe se me shpjegimet dhe provat që ajo ka dorëzuar vërtetohet se të ardhurat nga shitja e aktivitetit të bashkëshortit në Itali i përmbushin të gjitha kriteret për t’u konsideruar të ligjshme.

Mishgjoni shtoi se provohen dhe të ardhurat nga puna e bashkëshortit në Itali dhe kërkoi që të konsiderohen të dy këto zëra në analizën financiare, ashtu si ka vlerësuar KPK.

Lidhur me të ardhurat e bashkëshortit nga puna në Shqipëri, subjekti ritheksoi faktin se sapo kishin mësuar për mosshlyerjen e detyrimeve tatimore nga punëdhënësi, bashkëshorti i ishte drejtuar gjykatës ku kishte fituar të drejtën e tij me vendim të formës së prerë, vendimarrje që dhe ishte ekzekutuar. Mishgjoni argumentoi se këto të ardhura duhen pranuar, pasi janë gjykuar njëherë nga gjykatat dhe përbëjnë gjë të gjykuar.

Lidhur me mosdeklarimin e përfitimit nga bashkëshorti të të ardhurave nga shitja e fabirkës së vajit në vitin 1997, Mishgjoni deklaroi se kjo pasaktësi ishte e paqëllishme dhe nuk mund të sillte penalizim.

Në vijim, subjekti këmbënguli se çmimi i paguar nga bashkëshorti për tokën është ai i shënuar në kontratë. Ajo theksoi se kishte provuar se nuk kishte asnjë investim në këtë pronë. Subjekti shtoi se ishte provuar se bashkëshorti nuk kishte krijuar të ardhura nga një shoqatë e krijuar prej tij.

Në përfundim, gjyqtarja Mirela Mishgjoni pretendoi se arrin nivel të besueshëm në të gjithë kriteret e rivlerësimit, përfshi dhe pasurinë dhe kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit të saj në detyrë./BIRN

Share This Article
Leave a Comment