Administrata e Donald Trump publikoi të martën mijëra dokumente të mëparshme të klasifikuara në lidhje me vrasjen e Presidentit John F. Kennedy në vitin 1963, duke përmbushur një premtim të madh për t’i dhënë publikut akses në materialin e mbajtur fshehur për dekada.
Administrata Kombëtare e Arkivave dhe Dokumenteve (NARA) filloi të postojë në faqen e saj të internetit 80,000 faqe dokumente, menjëherë pas orës 19:00. Asnjë nga dokumentet nuk është i redaktuar apo censuruar.
Këto dosje përmbajnë informacione mbi lidhjet e vrasësit të Kennedy-t, Lee Harvey Oswald, me Bashkimin Sovjetik dhe përfshijnë një letër ku një person pretendon se ka paralajmëruar agjentët federalë qysh në korrik të vitit 1963 se Oswald po planifikonte vrasjen e Kennedy-t.
Presidenti Trump urdhëroi publikimin e plotë të këtyre dokumenteve me një urdhër ekzekutiv të firmosur sapo mori detyrën, duke e quajtur vazhdimin e fshehjes së materialit “të papajtueshme me interesin publik.”
Çfarë përmbajnë dokumentet?
Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, tha se dokumentet e mbajtura ende sekret nën urdhra gjyqësorë ose për arsye ligjore do të publikohen sapo të përfundojë procesi i deklasifikimit.
“Presidenti Trump po sjell një epokë të re të transparencës maksimale,” tha Gabbard. “Sipas udhëzimeve të tij, dokumentet e censuruara të vrasjes së JFK-së po publikohen pa asnjë redaktim. Premtimet e bëra, po mbahen.”
Dokumentet përmbajnë një përmbledhje të madhe me memo dhe korrespondenca qeveritare mbi hetimin e vrasjes së Kennedy-t më 22 nëntor 1963, në Dallas.
Oswald u arrestua si i dyshuari kryesor. Sipas hetimeve zyrtare, ai qëlloi dy herë me armë dhe vrau presidentin, ndërsa një plumb i tretë e humbi objektivin. Komisioni Warren konkludoi se ai kishte vepruar i vetëm, por shumë amerikanë besojnë se vrasja ishte pjesë e një komploti më të gjerë.
Ndër vite, spekulimet u shtuan pasi disa dokumente mbetën të fshehura, duke ushqyer teoritë se qeveria po mbante të fshehta informacione kyçe.
Tashmë, dokumentet e sapo deklasifikuara përmbajnë të dhëna mbi njerëzit e lidhur me Oswald ose mbi ata që mund të kenë pasur informacione rreth tij.
Detaje të veçanta nga dosjet sekrete
Një dokument i CIA-s tregon se si kjo agjenci bashkëpunonte me Shërbimin Sekret për mbrojtjen e presidentit.
Një tjetër është një memo e vitit 1968, ku CIA këshillonte kundër deklasifikimit të një hetimi australian mbi telefonata anonime të bëra në ambasadën amerikane në Canberra, para dhe pas vrasjes së Kennedy-t.
Një tjetër memo e qeverisë amerikane trajton teorinë se Oswald, i cili kishte jetuar në Bashkimin Sovjetik dhe ishte martuar me një grua ruse, mund të ketë vepruar nën urdhrat e KGB-së.
Ky dokument përfshin një intervistë të vitit 1991 me një profesor amerikan që kishte takuar në Moskë Slava Nikonov, një ish-zyrtar i lartë i KGB-së dhe nipi i ish-ministrit të Jashtëm sovjetik, Vyacheslav Molotov.
Sipas memo-s, Nikonov kishte rishikuar dosjet e KGB-së dhe arriti në përfundimin se Oswald nuk ishte kurrë një agjent i kontrolluar nga sovjetikët.
“Nga përshkrimi në dosje, ai dyshonte se dikush mund ta kontrollonte Oswaldin,” thuhet në dokument. Nikonov shtonte se KGB e kishte mbajtur Oswaldin nën vëzhgim të vazhdueshëm ndërsa jetonte në Bashkimin Sovjetik.
Një detaj interesant nga këto dosje është se KGB-ja kishte raportuar se Oswald ishte një “qitës i dobët” kur kishte provuar të praktikonte qitjen në Rusi.
Kjo detaj e përforcon skepticizmin e atyre që besojnë se Oswald nuk mund të kishte qëlluar tre herë mbi një objektiv lëvizës në një kohë kaq të shkurtër, duke vrarë presidentin.
Paralajmërimi i injoruar për Oswaldin
Një nga dokumentet më të rëndësishme të sapo zbuluara është një korrespondencë nga Sergyj Czornonoh, i cili pretendon se në gusht të vitit 1963 ai paralajmëroi Konsullin Amerikan në Sofje, Bullgari, se Oswald po planifikonte të vriste Kennedy-n.
Czornonoh thotë se kishte marrë informacionin nga Wasilev Consul, një punonjës në ambasadën sovjetike në Bullgari. Ai pretendon se e dashura e Consul-it i kishte thënë:
“Lee Harvey Oswald është vrasësi. Ai do të vrasë Presidentin Kennedy.”
Czornonoh thotë se e informoi një zyrtar të Departamentit të Shtetit më 19 gusht 1963, duke e paralajmëruar se Oswald kishte një armë dhe se duhet ta hetonin.
Megjithatë, sipas tij, zyrtarët nuk e morën seriozisht paralajmërimin. Ai kujton se përgjigjja e tyre ishte:
“Edhe ti mund të kesh një armë — ç’rëndësi ka nëse edhe Oswald ka një?”
Czornonoh i dërgoi këtë dëshmi Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Vrasjet në vitin 1978, por ajo nuk u publikua deri më tani.
Dokumente mbi politikën e jashtme të Kennedy-t
Disa nga dokumentet e deklasifikuara janë më të hershme se vrasja e Kennedy-t, por lidhen me politikën e jashtme amerikane.
Një memo e vitit 1959 përmban një bisedë të regjistruar me William D. Pawley, ish-ambasador i SHBA-së në Brazil, i cili takoi dy kubanezë në Miami që kërkonin mbështetjen e SHBA-së për të rrëzuar regjimin komunist të Fidel Castro-s.
“Ata thanë se grupi i tyre kishte nevojë për dy gjëra – mbështetje morale dhe para. Ata theksuan se kubanezët brenda Kubës kishin frikë të organizonin një lëvizje të fshehtë dhe nuk kishin asnjë mënyrë për të mbledhur fonde,” raportoi Pawley.
Më pak se dy vjet më vonë, Kennedy mbështeti një përpjekje për të rrëzuar Castron përmes pushtimit të dështuar të Gjirit të Derrave në 1961.
Publikimi i këtyre dokumenteve përfaqëson një hap të madh në zbulimin e sekreteve të vrasjes së Kennedy-t. Megjithatë, do të duhet kohë për të analizuar plotësisht përmbajtjen e tyre dhe për të parë nëse ato japin përgjigje përfundimtare mbi një nga misteret më të mëdha të historisë amerikane./ Përshtatur nga Washington Times