Prodhuesit amerikanë të armëve po përjashtohen nga plani i ri masiv i shpenzimeve të mbrojtjes së Bashkimit Evropian, i cili synon të shpërndajë fonde për vendet e BE-së dhe aleatët, sipas planeve të publikuara të mërkurën.
Gjithashtu e lënë jashtë, për momentin, është Mbretëria e Bashkuar.
“Ne duhet të blejmë më shumë (prodhime ushtarake) evropiane. Sepse kjo do të thotë forcim i bazës teknologjike dhe industriale të mbrojtjes evropiane,” tha Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, duke shpallur programin ‘Gatishmëria 2030’.
Në përpjekje për të forcuar lidhjet me aleatët, Brukseli përfshiu vende si Koreja e Jugut dhe Japonia, si dhe Shoqatën Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA), në programin e tij që mund të çojë deri në 800 miliardë euro shpenzime për mbrojtjen.
“Ne duhet të shohim jo vetëm Rusinë si një kërcënim, por gjithashtu … zhvillimet më të gjera gjeopolitike dhe se ku amerikanët do të vendosin vëmendjen e tyre strategjike,” u tha gazetarëve Komisioneri Evropian i Mbrojtjes, Andrius Kubilius.
Në vitet e fundit, rreth dy të tretat e porosive të prokurimeve të BE-së kanë shkuar për kompanitë amerikane të mbrojtjes.
Komisioni paraqiti propozimin e tij afatgjatë për politikën e mbrojtjes, të njohur si një ‘dokument i bardhë’, si dhe një sërë propozimesh ligjore që synojnë ta bëjnë më të lehtë për vendet të rrisin shpenzimet ushtarake dhe të krijojnë një treg mbrojtjeje më të integruar brenda bllokut.
“Nuk po e bëjmë këtë për të shkuar në luftë, por për t’u përgatitur për më të keqen dhe për të mbrojtur paqen në Evropë,” tha Kaja Kallas, diplomatja më e lartë e BE-së.
Kërcënimi nga Rusia është shtytësi kryesor për forcimin e kompleksit ushtarako-industrial të kontinentit, por ndryshimet në SHBA nën Presidentin Donald Trump po e detyrojnë gjithashtu BE-në të veprojë shpejt.
Rreziku i mbështetjes së tepruar tek SHBA u theksua nga vendimi i papritur i Trump për të dëmtuar aleatin, Ukrainën, duke ndaluar dërgesat e armëve dhe ndarjen e inteligjencës për të ushtruar presion mbi Kievin që të pranonte bisedimet e paqes me Rusinë.
Kallas theksoi se si Kievi është penguar nga mbështetja tek të huajt. “Ata përdorin armë që nuk prodhohen në Ukrainë [dhe] ndonjëherë ka kufizime se si mund t’i përdorin ato armë … ushtria juaj duhet të ketë vërtet dorë të lirë në këtë aspekt,” tha ajo.
Strategjia e BE-së nënvizoi se ndërsa Shtetet e Bashkuara janë “tradicionalisht një aleat i fortë”, ajo shtoi se Uashingtoni “beson se është tepër i angazhuar në Evropë dhe ka nevojë për një riekuilibrim, duke reduktuar rolin e tij historik si garantuesi kryesor i sigurisë.”
Alokimi i fondeve
Propozimi më konkret është një angazhim i Komisionit për të dhënë deri në 150 miliardë euro kredi për vendet anëtare për t’u shpenzuar për mbrojtjen nën të ashtuquajturin instrument SAFE.
Ndërsa kreditë do të jenë të disponueshme vetëm për vendet e BE-së, shtetet mike jashtë bllokut gjithashtu mund të marrin pjesë në blerjet e përbashkëta të armëve.
Prokurimi i përbashkët sipas propozimit SAFE është i hapur për Ukrainën; Norvegjinë, Zvicrën, Islandën dhe Lihtenshtajnin; si dhe “vendet në proces anëtarësimi, vendet kandidate dhe kandidatët e mundshëm, si dhe vendet e treta me të cilat Bashkimi Evropian ka hyrë në një Partneritet për Sigurinë dhe Mbrojtjen.” (këtu përfshihet edhe Shqipëria – shënim i Lapsi.al)
Që nga fundi i janarit, BE kishte gjashtë partneritete për mbrojtje dhe siguri: me Norvegjinë, Moldavinë, Korenë e Jugut, Japoninë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Turqia dhe Serbia, si vende kandidate për BE-në, gjithashtu mund të bashkohen potencialisht.
Kjo lë jashtë SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, megjithëse statusi i Britanisë mund të ndryshojë. “Ne po punojmë për të pasur këtë partneritet për mbrojtjen dhe sigurinë me Britani. Unë vërtet shpresoj që për samitin që do të mbahet në maj, të kemi rezultate,” tha Kallas.
Kanadaja gjithashtu e ka bërë të qartë se dëshiron një marrëdhënie më të ngushtë sigurie me BE-në.
Komisioni të mërkurën hodhi gjithashtu në qarkullim mundësinë e një bashkëpunimi më të madh mbrojtës me Australinë, Zelandën e Re dhe Indinë.
“Ka shumë kërkesa nga e gjithë bota për të bashkëpunuar me ne,” tha një zyrtar i lartë i BE-së.
Trajtimi preferencial për kompanitë evropiane është një përpjekje për të kënaqur Francën, një nga prodhuesit kryesorë të armëve në Evropë.
Në një përpjekje të mëtejshme për të kufizuar kompanitë jo-europiane, marrëveshja ndalon vendet e huaja të kenë akses në informacion të klasifikuar.
Ajo gjithashtu vendos një prag minimal që 65 për qind e komponentëve të pranueshëm për financim duhet të jenë evropianë, me këtë përkufizim që përfshin Ukrainën dhe Norvegjinë.
Fondi i planifikuar do të përjashtojë sistemet e armëve ku një vend jo-BE ka autoritetin e dizajnit, që do të thotë kontroll mbi ndërtimin ose përdorimin e tij. Kjo duket se mbulon shumicën e sipërmarrjeve të përbashkëta që prodhojnë pajisje ushtarake amerikane në BE.
Kreditë do të financojnë projekte të përbashkëta nga dy ose më shumë anëtarë në një përpjekje për të krijuar një industri mbrojtjeje në shkallë BE-je.
“Ne po heqim copëzimin pikërisht duke inkurajuar shtetet anëtare të bashkohen” dhe të blejnë të njëjtat armë me një çmim më të mirë, tha një zyrtar i BE-së.
Në një përpjekje për të nisur menjëherë blerjet e armëve, Komisioni do t’u lejojë vendeve të BE-së të bëjnë porosi individuale për 12 muajt e parë.
Planet e publikuara të mërkurën gjithashtu u lejojnë vendeve anëtare të BE-së të anashkalojnë kufizimet e rrepta buxhetore të bllokut. Ato do të jenë në gjendje të tejkalojnë kufirin e shpenzimeve publike të BE-së deri në një maksimum prej 1.5 përqind të PBB-së për një periudhë katërvjeçare.
Afati i fundit për kërkimin e kredive është 30 qershor 2027, dhe vendet mund të marrin fondet deri në fund të 2030-ës. Ato duhet t’i kthejnë kreditë Komisionit brenda 45 viteve.
Politico, përshtati në shqip