TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ ka miratuar pasditen e sotme fletën e votimit për zgjedhjet e 11 majit. Formati fletës së votimit është miratuar më parë ndërsa sot u miratua edhe përmbajtja e fletës së votimit. Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi gjatë fjalës së tij u shpreh se do të merret në konsideratë propozimi i Marash Logut, përfaqësuesit të PD që të bëhen disa korrektime për kandidatët me dy mbiemra. Ai më tej theksoi se ajo që është me rëndësi ështe fakti që fleta e votimit do të jetë gati një muaj para nisjes zyrare të fushatës.
“Vendimmarrja e sotme konsistonte në përmbajtjen e fletës së votimit. Si do ishin kandidatët dhe si do shfaqeshin në fletën e votimit. Duke marrë në konsiderate propozimin e zotit Logu do ta miratojmë fletën e votimit për të 12 qarqe, duke bërë këto korrektimet e kandidatëve me dy mbiemra. Kjo do të jetë përmbajtje e fletës së votimit. Kjo është për Tiranën, ndërsa për qarqet e tjera do të bëhet publike.
Qëndron argumenti për të patur një njëtrajtshmëri në shkrimin e emrave të kandidateve dhe cdo gjë tjetër që lidhet me kandidatët. Ajo që ngelet e rëndësishëm për kandidatët dhe forcat politike është që si asnjëherë tjetër më parë kanë përmbajtjen e fletës së votimit gati 1 muaj para fillimit të fushatës. Ndonjëherë na është dashur që të jetë fleta e votimit edhe në fushatë”, tha Celibashi.
Ai shtoi se nga fillimi i javës së parë ose të dytë do fillojë shpërndarja në diasporë. Sipas tij ky proces mund edhe të fillojë më herët nëse ia dalin që procesi i printimit jashtë vendimit të prodhohet më shpejt.
“Besoj që ne do të mbyllim procedurat e përzgjedhjes së kompanisë që do bëjë printimin dhe besoj fillimi i javës së parë ose të dytë do fillojë shpërndarja në diasporë. Mund të fillojë edhe pak më herët nëse ia dalim që procesi i printimit jashtë vendimit të prodhohet më shpejt. Votuesit nga jashtë do të kenë jo më pas se një javë kohë që ta kenë fletën e votimit për të bërë përzgjedhjen e tyre”, u shpreh Celibashi.