Po shkon mirë, ende… |

3 Min Read

Presidenti amerikan, Donald Trump është duke folur me homolog rus, Vladimir Putinin nga Zyra Ovale që prej orës 14:00, me orën lokale, konfirmoi Shtëpia e Bardhë.

“Telefonata po shkon mirë dhe është në progres”, tha Ndihmësi i Presidentit dhe Zëvendës Shefi i Stafit të Shtëpisë së Bardhë.

“Thirrja po shkon mirë dhe është ende në vazhdim”, shtoi ai.

Të dy udhëheqësit pritet të diskutojnë propozimin e SHBA për një armëpushim 30-ditor në Ukrainë, të cilin Ukraina e ka pranuar. Ky është komunikimi i dytë dhe më i rëndësishëm mes dy liderëve për zhvillimin e luftës, në të cilën pritet të vendosen edhe kushte territoriale, për të cilat pritet një pazar i ashpër.

Pak para bisedës së tyre, në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump tha se ai po priste me padurim thirrjen dhe u zotua se lufta duhet të përfundojë tani. Presidenti amerikan, në deklaratat në fillim të kësaj jave, tha gjithashtu se diskutimet me Putinin do të kishin të bënin me tokën, termocentralet dhe ndarjen e aseteve të caktuara.

Nga ana tjetër, Vladimir Putin do të kërkojë, si parakusht, një pezullim të të gjitha dërgesave të armëve në Ukrainë gjatë armëpushimit të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump.

Të pranishëm në Shtëpinë e Bardhë janë, nënpresidenti amerikan J.D. Vance dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio. Siç raportuan më parë burimet e Kremlinit, kjo bisedë do të zgjasë për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Trump, në një postim në platformën Truth Social, deklaroi se ai mezi priste bisedën, duke këmbëngulur se lufta duhet të përfundojë tani.

Çfarë kërkon Putini nga komunikimi me Trump

Për Putinin, kjo bisedë është një mundësi për ta mbajtur Rusinë në qendër të diplomacisë ndërkombëtare dhe për të treguar se ai ende po negocion drejtpërdrejt me SHBA-në. Administrata e re amerikane ka pranuar tashmë një nga kushtet kryesore të Moskës, duke përjashtuar mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.

Për më tepër, Shtëpia e Bardhë ka lënë të kuptohet se Rusia do të mbajë territoret që ajo ka pushtuar ilegalisht, gjë që përbën një fitore të rëndësishme diplomatike për Putinin. Megjithatë, Trump mbetet i paparashikueshëm dhe Moskës mund t’i bëhet presion që të tregojë gatishmëri për të bërë një marrëveshje përpara se presidenti amerikan të ndryshojë qëndrimin e tij.

Share This Article
Leave a Comment