“Ndonjë hotel për çunat”/ Si bashkëpunonin policët me grupin kriminal në jug (PËRGJIMET) |

14 Min Read

Në një kohë të shkurtër ata kishin mundur të vinin pasuri përrallore, të pajustifikuara.

Por edhe të bënin gjithashtu një jetë luksi të pashpenguar, derisa një ditë gjithçka duket se u shpërbë dhe përfundoi pas hekurave, aty ku edhe ndodhen sot.

Ndoshta për hir të disa rrethanave kohore, jeta e tyre mund të kishte ndjekur një tjetër rrjedhë më normale, por kjo sikur të mos ishte aplikacioni Sky Ecc, që edhe këtë herë i fundosi siç do grup kriminal që aktivitetin ia kishte besuar pikërisht kësaj platforme.

Ky duket se është edhe fundi pa lavdi i grupit të narkotrafikut që operoi në aksin Tepelenë-Gjirokastër-Sarandë, përgjatë viteve 2018-2021.

Të cilët jo vetëm arritën të mbillnin në këtë zonë të Shqipërisë, hektarë të pafundëm me kanabis, por dhe të dërgonin tonelata me lëndë narkotike në drejtim të Greqisë

Ku një dorë në këtë aktivitet të paligjshëm, del se ua dhanë dhe efektivë të policisë së shtetit, të cilët rezulton se ishin në shërbim të plotë të kokave të këtij grupi. Grup që më pas përplasjet e brendshme do e çonin jo vetëm në demontimin e tij, por edhe në një luftë të egër brenda llojit që do të kulmonin me disa ekzekutime të bujshme.

Por kush janë kokat e grupit të narkotrafikut të jugut të Shqipërisë dhe oficerët e policisë që ishin kthyer në komisariatin e tyre jo vetëm në qytet, por edhe në akset kryesore që lidhin zonën.

Si e shfrytëzuan ata periudhën e pandemisë për të transportuar tonelata me kanabis nga Shqipëria në drejtim të Greqisë? Por edhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian, deri edhe në Spanjë.

Dhe cilat janë episodet e këtij traifiku, të zbërthyera nëpërmjet bisedave që ata zhvilluan në Sky Ecc, që çuan autoritetet ligjzbatuese në Shqipëri, të ndihmuara edhe nga partnerët e tyre të Europol, në identifikimin dhe më pas arrestimin e tyre.

Ku deri më tani për llogari të këtij grupi kriminal janë sekuestruar 90 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të vendosura në bazë të përfitimeve të paligjshme të ardhura nga ky trafik i drogës. Pasuri të cilat ishin në emrin e Kristo Qiricit, Eldjon Alushaj, apo në mënyrë të tërthortë të fshehura në emra të tjerë të familjarëve apo bashkëpunëtorëve të tyre të afërt.

Ku të përfshirë në këtë aktivitet dolën të ishin edhe katër oficerë policie, Ervis Alisinanaj me detyrë shef i krimeve në policinë e Lushnjës, Erdit Hazizaj i larguar nga Policia e Shtetit në vitin 2022, Shkëlzen Ruska shef i seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë, dhe Elvis Dervishi shef i Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë.

Por le ti ndjekim me radhë të gjitha episodet për të cilat SPAK ka krijuar bindjen nëpërmjet kryqëzimit të bisedave në Sky Ecc dhe ballafaqimit me provat e gjetura në terren, që kanë çuar në pranga sot krerët dhe pjesëtarët e këtij grupi kriminal.

Që siç thamë gjeti pandeminë Covid-19 si kohën më të përshtatshme për të vepruar lirshëm dhe të pashqetësuar, për të kaluar drogën matanë kufirit.

Procedim që u regjistrua në shtator të vitit 2022, për veprat penale ‘Trafikimi i narkotikëve’, i kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atij të grupit të struktuar kriminal.

Ku krahas grupit shqiptar të narkotrafikut del se bashkëpunëtorë në këtë aktivitet kriminal ishin dhe shtetas të huaj.

Ndërsa trafiku i drogës, është kryer jo vetëm nga Shqipëria drejt Greqisë por edhe në drejtim të Gjermanisë, Hollandës dhe Spanjës.

Por që paratë investoheshin kryesisht në Shqipëri.

Ku koka të këtij grupi sipas SPAK kanë rezultuar të jenë Kristo Qirici, i cili mban edhe emrat Jetmir Hoxha apo Jetmir Qirici.

Si dhe Eldjon Alushaj, me emrin e dytë Kosta Alushaj.

Shtetas shqiptarë dhe të huaj janë organizuar në një grup të strukturuar kriminal dhe gjatë vitit 2019 dhe në vazhdim kanë trafikuar sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike nga Amerika Latine në drejtim të Evropës, me qëllim shpërndarjen në vendet e BE-së.

Nga ku del se lënda narkotike e llojit ‘cannabis sativa’ kultivohej prej këtij grupi kriminal në territorin e Shqipërisë. Dhe bashkëpunonin ose komunikonin edhe me persona të punësuar pranë agjencive të zbatimit të ligjit në Shqipëri. Grup i cili njëkohësisht ka qenë aktiv në Shqipëri, Spanjë, Greqi, etj.

Para të cilat më pas i investonin në blerjen e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme apo në aktivitete ekonomike të ndryshme. Po për të kuptuar se si funksiononte ky grup dhe komisarët e tyre të policisë është me interes të ndjekim disa nga këto episode të trafikut të lëndëve narkotike dhe bisedat që ata zhvilluan midis tyre në platformën Sky Ecc përgjatë vitit 2020 dhe 2021.

Ku një nga këto episode është edhe ai i sekuestrimit të një sasie prej rreth 1.2 ton lëndë narkotike më datë 7 Mars 2020 në Greqi.Drogë e cila rezulton se kishte kaluar nëpërmjet pikës kufitare të Qafë Botës në Sarandë në po njëjtën ditë.

E kamufluar brenda një ruloti ku drejtuesi dhe pasagjerja ishin shtirur si turistë ditorë italianë që po kalonin tranzit nga Shqipëria për në Greqi.

Ku nga transkriptet e bisedave të zbërthyera në Sky Ecc të sjella nga Ministria e Drejtësisë greke në drejtim të asaj shqiptare, del se personat e interesuar direkt për këtë ngarkesë ishin Kristo Qirici, alias Jetmir Qirici apo Hoxha.

Që rezulton të jetë vëllai i Edmond Papës, biznesmenit nga Saranda i cili u ekzekutua në Tiranë më datë 16 Dhjetor 2022. Papa i cili në fundin e vitit 2019 ishte regjistruar, si person fizik me veprimtari ‘Hotel, bar kafe, import-eksport të artikujve industriale, stacion plazhi’, me vend të ushtrimit të aktivitetit, qytetin e Sarandës.

Por që kishte në pronësi edhe Hotel ‘Blue Sky’ në këtë qytet.

Që siç tashmë dihet u eleminua pas një tjetër ekzekutimi makabër të ndodhur 6 muaj më herët në Tiranë.

Ku si pasojë e shpërthimit të një lënde eksplozive të vendosur poshtë makinës me të cilën lëvizte, u vra Aleksandër Sadikaj, i njohur si ‘Sanço’.

Ekzekutime që më pas çuan edhe në një hakmarrje midis palëve që deri në këtë moment thuhet se kishin punuar së bashku në trafikun e lëndëve narkotike midis Shqipërisë dhe Greqisë.

  • “File, ndonjë fletë hoteli për çunat”, si oficeri i policisë Erdit Hazizaj i kërkoi ndere të ndryshme Kristo Qiricit

Më datë 7 Mars 2020, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar ‘Qafë Botë’ është trafikuar për në Greqi sasia prej 1 144 kg ‘cannabis sativa’ e papërpunuar, 4 kg ‘cannabis’ i përpunuar (çokollatë) dhe 916 gr ‘cannabis” i përpunuar (vaj).

Ku në po këtë datë, rreth orës 14:30, organet e zbatimit të ligjit në Athinë, sekuestruan 949 pako të mbështjella me shirit ngjitës, të cilat përmbanin ‘cannabis’ të papërpunuar, me peshë bruto 1 144 kg, si dhe dy pako të mbështjella me shirit ngjitës, të cilat përmbanin “cannabis” të përpunuar (çokollatë).

Por ndërsa autoritetet greke mundën të kapin këtë ngarkesë me kanabis të ardhur nga Shqipëria dhe të arrestonin dy shtetasit italianë, këta të fundit zgjodhën të mos flasin se kush ishin në të vërtetë porositësit e mallit.

Madje ata ia ngarkuan drogën një shtetasi nga Bosnja, që në fakt nuk ekzistonte.

Dhe thanë se e kishin marrë përsipër këtë mision, për shkak të borxheve që kishin në Itali.

Por ndërsa vitet kaluan dhe gjithçka duket se u hodh paq, bisedat në Sky Ecc, zbuluan se  porositësit e kësaj ngarkese në fakt ishin Kristo Qirici dhe Eldjon Alushaj.

Që siç shikohet edhe në këto biseda të shkëputura nga komunikimet midis tyre në Sky Ecc flasin mbi arrestimin e dy italianëve në Greqi dhe sekuestrimin e lëndës narkotike që grupi kriminal kishte kaluar në këtë vend. Por zbulojnë edhe pjesëtarët e tjerë të organizatës kriminale midis tyre edhe oficerët e policisë që i ndihmonin të kalonin të pashqetësuar tonelatat me drogë.

Një ndër ta edhe Erdit Hazizaj që rezulton se nga periudha 16 Gusht 2017 deri më 5 Nëntor 2021, ka mbajtur pozicionin e oficerit të policisë pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

I cili siç do të shikohet edhe në vazhdim i kërkon ndere të ndryshme Kristo Qiricit deri edhe fletë hoteli për çunat …

‘File, ndonjë fletë hoteli për çunat jep dot’.

Biseda të cilat zhvillohen midis tyre para dhe pas këtij episodi trafiku që zhvillohet përgjatë muajit mars të vitit 2020.

Ndërsa Eldjon Alushaj, sipas verifikimeve të kryera nga grupi hetues rezulton se bashkërendonte të gjithë punët e aktivitetit kriminal me Kristo Qiricin, nëpërmjet një numri telefoni të cilin e kishte regjistruar në emër të nënës dhe më pas motrës së tij.

Biseda të cilat kanë provuar nëpërmjet sistemit Tims, edhe lëvizjet e shumta që këta dy shtetas kanë kryer jashtë Shqipërisë. Sidomos gjatë vitit 2020.

Koha kur grupi kriminal ka një aktivitet të shtuar përsa i përket trafikimit të lëndës narkotike në Greqi.

Momenti kur në lojë del dhe emri i oficerit të policisë Erdit Hazizaj, por edhe i shumë efektivëve të tjerë që janë vënë në shërbim të plotë të organizatës kriminale.

Siç është edhe ky episod i muajit shkurt, që i paraprin kalimit të 1 ton kanabis në doganën e Qafë Botës.

Ku Erdit Hazizaj kujdeset që rruga të jetë e lirë ‘nga shteti’ për Kristo Qiricin nga ‘shteti’.

Kristo Qirici i kërkon Erdit Hazizaj që të interesohet te shokët e tij në polici, pasi kishte parë shumë lëvizje në zonën e Muzinës/Gjirokastër, rrugë në të cilën dyshohet se do të kalonte për të transportuar lëndën narkotike.

Më pas i thotë se po doli një rrugë marrim na një dyzetë mijshe.

‘Si ku është vendi?’

‘Gjërat janë nga zona kurse kalimi nga Saranda.

‘Po më tha një i Gjirokastrës, kanë qenë pardje aty’.

‘Po doli një rrugë marrim një 40 mijshe. Gjynah ta lesh’

Por për t’u kthyer te episodi i dështuar i trafikimit të 1.2 ton kanabis, të kapur në Athinë më 7 Mars, ku u arrestuan edhe dy transportuesit italianë, Luca Bruno dhe Denise Carannante, Erdit Hazizaj del se nuk ishte punonjësi i vetëm i rrobës së policisë që ndihmoi Kristo Qiricin dhe organizatën e tij.

Pasi një tjetër shërbëtor i korruptuar që mbante ndërkohë mbi kokë kapelen e policisë së Shtetit ishte edhe Elvis Dërvishi.

Luca Bruno dhe Denise Carannante mësohet se kanë hyrë në Shqipëri më datë 6 Mars 2020, ora 07:50, nga Pika e Kalimit Kufitar Porti Durrës, me rulotin e tyre me targa FK 595 LV dhe kanë dalë nga Shqipëria nga Pika e Kalimit Kufitar ‘Qafë Bota’, më datë 7 Mars 2020, në orën 13:12.

Ku të dyshuar si të përfshirë në këtë episod të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë,  janë  Kristo Qirici, Eldjon Alushaj, Benci Toska, dhe oficerët e policisë Erdit Hazizaj dhe Elvis Dërvishi, oficer policie.

Do të ishin pikërisht këta oficerë të policisë por edhe të tjerë që do të zbulohen më poshtë, të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre në policinë lokale,

jo vetëm po i krijonin infrastrukturën e duhur kësaj organizate kriminale për të kaluar drogën të pashqetësuar nëpërmjet akseve rrugore apo pikave kufitare, por edhe raportonin te kreu i këtij grupi kriminal edhe për ata që mund të ishin spiunët brenda radhëve të tyre, siç ishte kapja e sasisë së drogës në Greqi./ Emisioni ‘Në Shënjestër’

Share This Article
Leave a Comment