Do paditet në SPAK, i përfshirë dhe Sadushi! |

7 Min Read

 

Partia Demokratike ka paralajmëruar një padi në SPAK në lidhje me atë që e konsideroi si një “puç kushtetuese”, në lidhje me bisedat e publikuara në media ku kryetarja e komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka bën “pazar” me ish-kryetaren e KLGj-së Naureda Llagamin, duke i ofruar mbështetje kësaj të fundit për ta emëruar në Gjykatën Kushtetuese.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Belind Këlliçi deklaroi se të përfshirë në këtë “puç kushtetuese” janë edhe kryetari i Gjykatës së Lartë dhe njëkohësisht kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Sokol Sadushi, si dhe presidenti Bajram Begaj.

Sipas Këlliçit, në këtë “puç kushtetuese”, nuk ishte synimi për një, por për lirimin e tre vendeve në Gjykatën Kushtetuese, ku përmendi Elsa Toskën, e cila dha dorëheqjen dhe tentativat për t’i ndërprerë mandatin Holta Zaçajt dhe Sonila Bejtjas.

Këlliçi deklaroi se nga bisedat kuptohet se Klotilda Bushka kërkon tre vende në Kushtetuese për të sistemuar të mbeturit jashtë liste të komisionit të Vetingut.

“Partia Demokratike siguron pjesëtarët e këtij grupi që po kryen atentat ndaj Kushtetutës, nga Begaj e deri te Bushkat, se do të përfundojnë në SPAK për këto shkelje të rënda të ligjit Themeltar. Partia Demokratike garanton gjithashtu se të njëjtin fat do të kenë edhe ata gjyqtarë kushtetues, të cilët, me vetëdije të plotë dhe në shkelje të Kushtetutës, do të pranojnë të bëhen pjesë e kësaj maskarade për t’i shërbyer kryebashkiakut të arrestuar për korrupsion, Erion Veliaj dhe Bushkës e Bushkave të tjera të tij.” – tha Këlliçi.

Deklarata e anëtarit të Kryesisë së PD, Belind Këlliçi:

Prej disa ditësh, opinioni publik po njihet nëpërmjet medias me komunikimet e kryera mes ish-kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami dhe deputetes socialiste e njëkohësisht kryetare e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, ku bëjnë pazare për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Këto biseda, të zhvilluara mes fundit të vitit 2023 dhe fillimit të vitit 2024 shkojnë përtej qokave mes mikeshave me pushtet.

Ato dëshmojnë qartë për hapat fillestarë të një puçi kushtetues, i cili ka për synim emërimin në Gjykatën Kushtetuese të disa prej drejtuesve të strukturave të vetingut, që i kanë shërbyer verbërisht Partisë Socialiste dhe klaneve të ndryshme brenda maxhorancës, duke larguar nga detyra gjyqtarë e prokurorë me integritet, e duke lënë në detyrë gjyqtarë “alla Dvorani”, që kishte harruar të deklaronte 100 milionë lekë.

Në këtë puç kushtetues janë përfshirë edhe zyrtarë të tjerë të lartë, veçanërisht Sokol Sadushi i Gjykatës së Lartë dhe njëkohësisht kryetar i radhës së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Gjithashtu, në këtë puç kushtetues është përfshirë me vetëdije të plotë edhe presidenti i Republikës, Bajram Begaj, njeriu që më shumë se kushdo zyrtar tjetër, duhet të jetë garant i Kushtetutës.

Në bisedat e zbardhura nga media, Llagami i kërkon ndihmë Bushkës që të marrë një vend në Gjykatën Kushtetuese.

Por Bushka shkon më tej. Ajo dhe në sekt brenda Partisë Socialiste, që njihen si linja e kreut të 5D dhe pronari faktik i inceneratorit Tiranë, Erion Veliaj, synojnë të krijojnë tre vende për të sistemuar të mbeturit jashtë liste të komisionit të Vetingut.

Ky sekt ka treguar se për të arritur qëllimet e tij anti-kushtetuese, është i gatshëm t’i kundërvihet edhe institucionit të Kuvendit të Shqipërisë. Në shtator 2024, kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, shpall garën për plotësimin e vakancës së krijuar nga dorëheqja e gjyqtares Elsa Toska. Ajo kishte mandat të plotë 9-vjeçar.

Por, Klotilda Bushka dhe sekti i saj, në një luftë të paprecedentë brenda llojit, iu kundërvunë Spiropalit, duke synuar që të zhbëjnë procedurën e nisur. Justifikimi i përdorur nga ky sekt ishte parashikimi kushtetues për ripërtëritjen tre-vjeçare të trupës së gjyqtarëve.

Kushtetuta parashikon se vetëm dy mandate në Gjykatën Kushtetuese janë të pjesshëm dhe ato u takojnë gjyqtarëve Holta Zaçaj dhe Sandër Beci.

Por, Bushka dhe sekti që përfaqëson e kanë qëllimin diku tjetër. Pas tentativës për zhbërjen e procedurës për zëvendësimin e Elsa Toskës, qëndron objektivi për ndërprerjen e mandatit të gjyqtares tjetër, Sonila Bejtja.

Bushka dhe “klani Veliaj” apo “klani 5D” në Partinë Socialiste duan të copëtojnë mandatin e gjyqtares së dorëhequr, Toska, për të rrëmbyer edhe mandatin e gjyqtares Bejtja, e cila është emëruar për të qëndruar në detyrë deri në vitin 2028.

Për të rrëmbyer mandatin e gjyqtares Bejtja, në puçin kushtetues është përfshirë edhe presidenti Bajram Begaj. Ky i fundit, i nxitur nga Bushka me “klanin 5D”, i kërkoi pak kohë më parë Gjykatës Kushtetuese që të interpretonte afatin e gjyqtarëve.

Në atë shkresë, e cila është një turp jo vetëm juridik për mënyrën e të shkruarit, por edhe anti-kushtetuese për nga objekti, i emëruari i Taulant Ballës në Presidencë kërkon të largojë gjyqtaren Sonila Bejtja.

Partia Demokratike siguron pjesëtarët e këtij grupi që po kryen atentat ndaj Kushtetutës, nga Begaj e deri te Bushkat, se do të përfundojnë në SPAK për këto shkelje të rënda të ligjit Themeltar.

Partia Demokratike garanton gjithashtu se të njëjtin fat do të kenë edhe ata gjyqtarë kushtetues, të cilët, me vetëdije të plotë dhe në shkelje të Kushtetutës, do të pranojnë të bëhen pjesë e kësaj maskarade për t’i shërbyer kryebashkiakut të arrestuar për korrupsion, Erion Veliaj dhe Bushkës e Bushkave të tjera të tij.

Share This Article
Leave a Comment