Ekipi kombëtar i Shqipërisë ka nisur sot stërvitjet për ndeshjet e ardhshme kundër Anglisë dhe Andorrës, në kuadër të eliminatoreve të Kupës së Botës 2026. Seanca e parë u zhvillua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, me pjesëmarrjen e 26 lojtarëve të grumbulluar. Sylvinho, duke qenë se disa prej tyre mbërritën me vonesë pas angazhimeve me klubet e tyre, kishte përfocuar grupin me lojtarë shqiptarë.
Trajneri Sylvinho e ndau skuadrën në dy grupe, duke kombinuar punën në palestër dhe stërvitjen në fushë. Lojtarët që kishin luajtur ndeshje me ekipet e tyre vetëm një ditë më parë u fokusuan kryesisht në rikuperim, ndërsa pjesa tjetër zhvilloi një seancë të plotë në fushë. Për të mbajtur intensitetin e duhur në stërvitje, tekniku brazilian përfshiu edhe disa lojtarë nga kampionati shqiptar, duke plotësuar përkohësisht grupin. Atmosfera gjatë seancës ishte pozitive, me momente humori mes lojtarëve dhe stafit teknik, përfshirë brazilianin Sylvinho.
Lexo më tej: “Anglia mund të surprizohet”: Hoxha lëshon sfidën para ndeshjes në Wembley
Sylvinho, duke e patur të qartë se nuk do të kishte të gjithë lojtarët në dispozicion për stërvitjen e parë, kompletoi grupin me disa lojtarë të rinj, mes tyre Rrok Toma, Ysni Ismaili, Aldi Gjumsi, Altin Bytyçi, Denis Sulo, Antonio Delaj, Renaldo Torraj, Jord Çelkupa, Sergio Kalaj dhe Devit Demirçani. Shumica kanë përvojë me ekipet e moshave të Shqipërisë, ndërsa qendërmbrojtësi i Partizanit Bytyçi nuk ka dashur të mungojë pavarësisht se me të kuqtë nuk ka luajtur së fundmi për shkak të një dëmtimi.
Lexo më tej: “I mpirë nga emocionet”, Shehu zbulon çastin e thirrjes në kuqezi: “Nuk jam kalimtar”
Kombëtarja do të zhvillojë edhe një seancë tjetër stërvitore nesër në të njëjtat ambiente, ndërsa të mërkurën skuadra do të udhëtojë drejt Londrës. Sfida e parë e eliminatoreve do të luhet më 21 mars kundër Anglisë në stadiumin legjendar “Wembley”.