MAQEDONIA E VERIUT- Policia në Maqedoninë e Veriut sot ka ndaluar disa persona si të dyshuar për tragjedinë në Koçan. Njëri ndër të dyshuarit është pyetur nëse ndihet fajtor, dhe ai është përgjigjur duke thënë se ndihet hero. Ai ka deklaruar se ka shpëtuar 200 të rinj.
“Nuk ndihemi fajtorë, ne jemi heronj, shpëtuam 200 njerëz. Unë qëndrova deri në momentin e fundit në zjarr për t’i nxjerrë të gjithë fëmijët, për t’i shpëtuar si të ishin të mitë. Kam dy fëmijë të mitur”, tha njëri nga të dyshuarit i cili përcillej në stacionin policor, me duar të lidhura.
Në tragjedinë e Koçanit, pas një zjarri të madh në një diskotekë mbetën të vdekur të paktën 59 persona dhe raportohet se janë lënduar të paktën 159 persona.