Katër janë barrierat më penguese për gratë në politikë: mungesa e aksesit në financat politike; dhuna me bazë gjinore në politikë; mungesa e aksesit në media dhe mungesa e meritokracisë dhe demokracisë së brendshme brenda partive politike, sipas një barometri të realizuar nga Rrjeti “Barazi në Vendimmarrje” në bashkëpunim me Fondacionin Westminster për Demokraci në Shqipëri.
Ngado që të hedhësh vështrimin, do të ndeshësh shpërfillje për vajzat dhe gratë, në një mjedis që sponsorizon në dukje tolerancë dhe hapje ndaj ndryshimeve, ndërsa në thelb ruan frikën ndaj çdo ekuilibri të ri social lidhur me barazinë gjinore.
Në anketimin e kryer më poshtë rezulton se kandidatët djem/ burra janë më të mbështetur financiarisht nga partia se sa kandidatet vajza/ gra.
Në anketimin e kryer në rrjete sociale me 55 djem dhe burra, ku 56.4% i përkasin grupmoshës 18-29 vjeç, 20% grupmoshës 30-40 vjeç, 20% grupmoshës 41-51 vjeç, 1.8% grupmoshës 52-62 dhe 1.8% grupmoshës 63-73 vjeç, vihet re stereotipi se “politika është punë për burra”.
Qytetarët që u bënë pjesë e anketimit janë të qartë se kujt do ia besojnë votën në zgjedhje! 67.3% e tyre janë të vendosur se do ia japin votën një kandidati djalë/burrë, ndërsa 41.8% një kandidateje vajzë/grua. Vetëm për një qyetar nuk kishte aspak rëndësi gjinia, por programi politik i kandidatit/es.
Më poshtë po sjellim disa nga argumentat se pse do ia besonin votën një kandidateje vajzë/ grua:
“Sepse politika shqiptare është bërë si WC pleqsh, me burra të vjetër, pa ide politike”.
“Jemi zhgënjyer nga qeverisja e burrave të cilët kanë një gjuhë ofenduese në parlament dhe zero aftësi qyteatre komunikuese”.
“Kandidatet gra janë më të vendosura dhe punëtore, edhe pse rrezikojnë që figura e tyre të përbaltet”.
“Gjenden më pranë komunitetit”.
“Fakti që prej 34 vitesh jemi qeverisur nga figura politike mashkullore, që e kanë penguar në një mënyrë apo një tjetër angazhimin e grave dhe vajzave në nivelet më të larta të qeverisjes tregon se ndoshta ka ardhur koha të ndryshojmë kursin në 360 gradë dhe pse të mos kemi në krye të vendit një femër, qoftë si Kryeministre apo Presidente”.
Teksa listojnë arsyet se pse do ia besojnë votën një kandidati djalë/ burrë, rendisin: lidershipin, dominancën, zotësinë për të luftuar nivelin e krimit. E më tej kemi dhe argumentin klishe “Politika është punë burrash”.
Në këtë anketim u vu re se qytetarët arrijnë të dallojnë qartë, mbase për shkak të fushatave jo glamuroze, mungesës së promovimit në televizione dhe median e shkruar, pabarazinë gjinore në ndarjen e fondeve brenda partisë. Sipas rezultateve të arrira nga ky anketim, 87.3% mendojnë se kandidatët djem/burra kanë më shumë mbështetje financiare se kandidatet vajza/gra me vetëm 12.7%.
Pavarësisht të drejtave të vajzave/ grave për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në qeverisjen demokratike apo dhe aftësitë e vullnetin e tyre për t’u dëshmuar si udhëheqëse të suksesshme, praktikat në shoqërinë tonë, kanë tendencë t’i japin vajzave/grave më pak zë politik dhe fuqi të kufizuar vendimmarrëse.
Shkalla e qytetërimit të një shoqërie lidhet me barazinë gjinore dhe duke u bazuar në të dhënat e anketimit, vendi ynë ka edhe shumë punë përpara.
34.5% e të anketuarve shprehen se e kanë shumë të rëndësishme që në vendimmarrje të ketë më shumë vajza/gra, 34.5% mesatarisht, 23.6% pak. 7.3% e të anketuarve mendojë se gjinia nuk është një element ndikues.
Në prag fushate elektorale ka gjithmonë një ndjeshmëri më të madhe edhe ndaj përfaqësimit të gruas në vendimmarrje.
Të pyetur se pse nuk kanë votuar kurrë për një vajzë/ grua në zgjedhje, dikush argumenton se ”pjesëmarrja e gruas në fushata politike përdoret më shumë thjesht si një slogan modern për të mashtruar sytë e femrave votuese”.
Duke kërkuar faktorë se pse nuk kanë zgjedhur të përfaqësohen nga gjinia femërore, shpesh rreshtohen arsye nga më të ndryshmet, që nga lufta e ashpër politike në Shqipëri, mungesa e lobimit, jeta familjare, niveli i kriminalitet në vend, potenciali dhe aftësia.
“Në shumicën e rasteve, kandidatet gra kanë pasur një program jo bindës, mbështetje nga grupe të gabuara, mungesë përvoje dhe lidershipi”- argumenton një tjetër.
Për shkak të mendësisë, shtypjes që u bëhet figurave të vajzave/ grave nga influenca që kanë kandidatët djem/burra për shkak të fushatës gjigande (që vjen si gjithmonë nga pabarazia e shpërndarjes së fondeve), vajzat dhe gratë janë më pak të votuara. Vetëm 34.5% e tyre kanë votuar të paktën një here një grua në zgjedhje.
“Nëse hyn në garën politike, rregullat e lojës janë të njëjta për të dyja gjinitë, dhe një grua nuk e ka fuqinë dhe aftësinë ta përballojë presionin dhe pushtetin e vetme”- argumenton dikush.
Një pjesë e madhe e të anketuarve mendojë se vajzat/gratë janë më pak të afta (34.5%) ose pothuajse njësoj me kandidatët djem/burra (34.5%), ndërsa vetëm 30.9% mendojë se kandidatet vajza/gra janë shumë të afta dhe mund të ecin përpara në arenën politike.
Ambiciet e vajzave dhe grave për të udhëhequr vendin janë po aq të mëdha sa edhe vështirësitë e pengesat. Një nga pengesat kryesore është emancipimi i qytetarëve se edhe vajzat/gratë e kanë profesionalizmin, vendosmërinë, zgjuarsinë dhe aftësinë për të udhëhequr një vend dhe ta bëjnë ekonominë e demokracinë të lulëzojnë.
Në Shqipëri, nuk kemi patur kurrë një grua në postin e Kryeministres apo Presidentes, por gjërat mund të ndryshojnë.
Pas shumë vitesh përpjekjesh, roli i gruas në politikë po fiton më shumë fuqi dhe mentaliteti që udhëheqja i takon burrave po rrëzohet.
Bazuar në rezultatin e anketimit, 49.1% e djemve/ burrave të pyetur konfirmojnë se do e mbështesin nëse një vajzë/ grua do të kandidonte për postin e Kryeministres apo Presidentes, 41.8% janë të pavendosur dhe 9.1% janë të vendosur për të mos i mbështetur.
Në Shqipëri, pjesëmarrja e grave në politikë pengohet nga barrierat e dominuara nga burra, pasi burrat manovrojnë në mënyrë më efektive mes tyre në zhvillimin e bizneseve që u sigurojnë përfitime ekonomike. Ky avantazh ekonomik shtrihet në politikë, ku mbështetja financiare është vendimtare për drejtimin e fushatave të suksesshme.
Një nga arsyet kryesore pse kandidatët burra kanë akses më të madh në fondet e fushatës është pozicioni i tyre i privilegjuar brenda rrjeteve të krijuara të pasurisë dhe pushtetit. Financimi politik është thellësisht i ndërthurur me interesat e biznesit dhe burrat, të cilët tradicionalisht dominojnë këto rrjete përfitojnë nga marrëdhëniet financiare që shpesh u mungojnë kandidateve gra. Në shumë raste, paraja shihet si një “biznes burrash”, duke e bërë dukshëm më të vështirë për gratë aksesin e të njëjtave burime financiare.
Kjo situatë përkeqësohet më tej nga oligarkët, ndikimi i të cilëve krijon një cikël pushteti thellësisht të njëanshëm. Mbështetja nga oligarkët nuk është vetëm një avantazh financiar për kandidatët burra, është një forcë strukturore që përforcon pabarazitë gjinore në aksesin politik. Oligarkët investojnë në kandidatët burra me shpresën për të siguruar favore politike në këmbim, duke forcuar më tej një sistem ku pasuria dhe pushteti qarkullojnë brenda një rrjeti të mbyllur, të dominuar nga njëra gjini. Gratë, të cilat janë kryesisht të përjashtuara nga këto qarqe financiare dhe biznesi, përballen me një disavantazh edhe më të madh.
Oligarkët, të shtyrë nga oportunizmi, luajnë një rol kyç në formësimin e konkurrencës elektorale duke favorizuar kandidatët që mund të garantojnë interesat e tyre sapo të jenë në pushtet. Kjo krijon një rreth vicioz në të cilin mbështetja financiare nuk ka të bëjë vetëm me mbështetjen e një fushate politike, por me mbajtjen e një klubi ekskluziv ndikimi. Si rezultat, kandidatët burra kanë më shumë gjasa sesa kandidatet gratë bien “pre” e pushtetit të mbështetësve të tyre financiarë përmes privilegjeve që në shumë raste, përfshijnë shkeljen e ligjit.
Të dhënat e sondazhit nxjerrin në pah këtë realitet: 76.4% e të anketuarve besojnë se kandidatët burra korruptohen më lehtë nga oligarkët, ndërsa vetëm 23.6% mendojnë se kandidatet gra janë po aq të ndjeshme. Megjithatë, kjo statistikë nuk do të thotë se gratë janë më etike sipas parazgjedhjes, ajo pasqyron faktin që ato përjashtohen sistematikisht nga rrjetet ku ndodhin shkëmbime të tilla korruptive.
Rritja e ndikimit oligarkik jo vetëm që zgjeron hendekun financiar midis kandidatëve burra dhe gra, por gjithashtu përforcon disavantazhin më të gjerë strukturor me të cilin përballen gratë në politikë. Pa akses në burime financiare, gratë luftojnë për të konkurruar në zgjedhje, duke përjetësuar çekuilibrin ekzistues gjinor në udhëheqjen politike. Ky cikël pushteti, i kontrolluar nga një elitë e dominuar nga burrat, siguron që gratë të mbeten të huaja si në biznes ashtu edhe në politikë, duke kufizuar aftësinë e tyre për të sfiduar status quo-në.
Trajtimi i kësaj çështje kërkon ndryshime sistematike. Transparenca në financimin politik, rregulloret më të forta për të frenuar ndikimin oligarkik dhe masat proaktive për të mbështetur gratë kandidate janë thelbësore për të thyer këtë cikël thellësisht të njëanshëm. Pa ndërhyrje të tilla, gratë do të vazhdojnë të përballen jo vetëm me barriera financiare, por me një peizazh politik të manipuluar në favor të atyre që tashmë kanë pushtetin.
Larg syve, larg mendjes! Larg medias, larg votëbesimit!
Kandidatet vajza/ gra, për shkak se nuk kanë financa të mjaftueshme, janë edhe më larg vëmendjes së mediave tradocionale apo atyre online.
Duke mos qenë prezente në media, mundësia për ta shpalosur tek një audience më e gjerë programin politik bëhet më e vështirë edhe rruga e saj drejt fitores.
Këtë e tregon qartë edhe rezultati i anketës ku 81.8% e burrave të anketuar shprehin se kandidatet vajza/ gra e kanë më të vështirë aksesin në media dhe vetëm 18.2% e tyre mendojnë të kundërtën.
Rruga për kandidatet gra në politikë mbetet e mbushur me sfida, duke përfshirë mosbesimin, mungesën e financimit dhe barrierat sistematike që kufizojnë aksesin e tyre në rrjetet financiare dhe politike. Në Shqipëri, perceptimi i rrënjosur thellë se lidershipi dhe fuqia financiare janë fusha të dominuara nga burrat, vazhdon t’i dëmtojë gratë. Votuesit burra/djem– dhe shpesh vetë strukturat politike, përjetësojnë besimin e vjetëruar se gratë janë më pak të afta ose të papërshtatshme për të udhëhequr vendin në mënyrë efektive, nëse jo më mirë, sesa homologët e tyre burra.
Megjithatë, ky nuk është thjesht një pasqyrim i paragjykimeve individuale; është një çështje strukturore që kërkon ndryshime rrënjësore. Cikli i ndikimit oligarkik, ruajtjes së burimeve financiare dhe perceptimeve politike me bazë gjinore duhet të ndërpritet për të krijuar një demokraci më gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese.
Një hap kyç drejt arritjes së këtij ndryshimi është sigurimi i aksesit të barabartë në financat politike dhe rritja e transparencës në financimin e fushatës. Një nismë konkrete legjislative që ka marrë jetë, tashmë prej disa kohësh është ndarja e 10% të fondeve publike drejtpërdrejt në forumet e grave brenda partive politike. Ky hap, i nxitur fort nga Rrjeti i Grave për Barazi në Vendimmarrje (EDM), synon të transformojë kulturën e partisë nga brenda, duke siguruar që gratë të kenë burimet dhe mbështetjen institucionale të nevojshme për të marrë pjesë plotësisht në vendimmarrjen politike.
Reforma të tilla janë thelbësore për thyerjen e barrierave financiare dhe kulturore, fuqizimin e grave për të konkurruar në baza të barabarta dhe forcimin e demokracisë duke nxitur lidership më të larmishëm dhe gjithëpërfshirës. Pa angazhime të qëllimshme financiare dhe ndryshime politikash, përjashtimi i grave në politikë do të vazhdojë. Tani është koha për veprime vendimtare që do të ndikojnë në krijimin e ekuilibrave dhe krijimin e hapësirave politike, realisht përfaqësuese të shoqërisë.
Nga Anduela Laçi/ Boldnews.al