Qindra qytetarë në Koçan të Maqedonisë së Veriut protestuan më 17 mars për të shprehur revoltën e tyre dhe për të kërkuar drejtësi pas zjarrit në klubin e natës “Puls” në Koçan, ku më 16 mars humbën jetën 59 persona, shumica prej tyre të rinj.
Duke u nisur nga ndërtesa e komunës drejt stacionit policor, një pjesë e qytetarëve hodhën gurë drejt kafenesë “Klasik”, e cila është në pronësi të të njëjtit person që ka në pronësi edhe klubin e natës “Puls”.
“Kjo humbje është e jashtëzakonshme. Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë dhimbjen që ndjejmë të gjithë. Ata fëmijë ishin fëmijët tanë. I njihja shumicën prej tyre, i njihja edhe familjet e tyre, me disa prej tyre ishim edhe miq familjarë. Shoku dhe thyerja që ndiej do të më shoqërojnë për gjithë jetën. Kjo tragjedi e ka zhytur Koçanin dhe Maqedoninë [e Veriut] në zi, ndërsa boshllëku që ka lënë është i pakalueshëm”, shkroi Papazov në Facebook.
Ai kërkoi që autoritetet të hetojnë përgjegjësinë e të gjithë të përfshirëve, duke theksuar se është i gatshëm të bashkëpunojë me ta.
Ndërkaq, gjatë ditës, qytetarët bënë homazhe për viktimat në parkun e qytetit të Koçanit, ndërsa teksa ecnin nëpër rrugë brohorisnin “vrasës, vrasës, secili prej nesh mund të jetë i radhës, ejani rini, ngrini zërin”.
Në disa nga pankartat e tyre shkruhej: “Vrasja e të rinjve është vrasja e së ardhmes” dhe “Nuk vdesim nga aksidentet, vdesim nga korrupsioni”.