Mllefi i Braçes/ A po shkon PS e përçarë në zgjedhje?

6 Min Read

TIRANE- Në prag të zgjedhjeve, Partia Socialiste duket se nuk është aq e bashkuar sa përpiqet të shfaqet, dhe një nga zërat më të fortë të pakënaqësisë është Erion Braçe. Deputeti socialist, një nga figurat më të vjetra dhe më kritike brenda PS-së, nuk e ka pritur mirë transferimin e tij nga Lushnja në Tiranë dhe nuk po e fsheh më mllefin ndaj lëvizjeve të brendshme të partisë.

Prej ditësh, Braçe ka nisur të shfryjë hapur në publik, me një seri mesazhesh të forta, ku ankohet për mënyrën sesi po trajtohet dhe për një përjashtim të qëllimshëm nga strukturat e PS.

“Më është dashur të përtyp përfundimisht inatin brutal përjashtues ‘o unë, o ai’”, shkruan Braçe në një nga postimet e tij, duke lënë të kuptohet se ka hyrë në një betejë të pabarabartë brenda partisë që ka shërbyer për dekada.

Nga “kampioni i Fierit” në “i refuzuari i Tiranës”

Për Erion Braçen, ky cikël zgjedhor është shumë ndryshe nga ai i vitit 2021. Në zgjedhjet e fundit, ai arriti të nxirrte një rezultat spektakolar për PS në Fier, duke u konsideruar një nga njerëzit më të fortë të partisë në këtë qark.

Por, 27 janari shënoi një kthesë të papritur për të. Kryeministri Rama vendosi ta largonte nga Divjaka dhe Lushnja dhe ta caktonte si të deleguar në Njësinë Nr.5 në Tiranë, duke e nxjerrë jashtë territorit ku kishte ndërtuar për vite ndikimin e tij politik.

Në vend të tij në Fier, Rama vendosi ministren e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, duke e shoqëruar me një ekip të ri të deleguarish, përfshirë drejtorin e ARRSH-së dhe ministrin e Financave, Petrit Malaj. Kjo lëvizje, sipas Braçes, nuk ishte rastësore, por një goditje e qëllimshme për ta larguar nga një zonë ku kishte ndikim të padiskutueshëm.

Konflikti i hapur me ministrin e Financave

Përtej zhvendosjes së tij në Tiranë, Braçe nuk po e fsheh zhgënjimin e tij edhe me qeverinë. Në një mbledhje të fundit të Komisionit të Ekonomisë, ai akuzoi ministrin e Financave, Petrit Malaj, se po refuzon të vijë në komision për të sqaruar skemën e TVSH-së për bujqësinë, një politikë që sipas Braçes po falimenton fermerët shqiptarë.

Ai kërkon shfuqizimin e skemës së vitit 2018, të propozuar nga ish-ministri Arben Ahmetaj, për shkak se kjo skemë, sipas tij, ka dëmtuar rëndë sektorin e bujqësisë, blegtorisë, pyjeve dhe peshkimit.

Në një moment të tensionuar, Braçe tha: “Ky shqetësim është krijuar nga ministri i Financave dhe është bërë në mënyrën më banale të mundshme, se ministri i asaj kohe (Arben Ahmetaj) kishte inat Braçen, se kishte frikë se unë bëhesha ministër i Bujqësisë.”

Por, ajo që e bën këtë debat edhe më ironik, është fakti se ministri Malaj është vetë i deleguari i PS-së në zonën që Braçe ka lënë pas, në Divjakë.

A po përjashtohet Braçe nga lista e “besuarve” të Ramës?

Në kulmin e pakënaqësisë së tij, Braçe e cilësoi votimin e TVSH në Kuvend, si “punën e tij të fundit” në Parlament. Megjithëse më pas e korrigjoi veten duke thënë se fliste vetëm për këtë sesion, mesazhi i tij ishte i qartë: ai nuk ndihet më pjesë e skuadrës fituese të PS-së.

Ndërkohë, pak orë pas publikimit të listës së kandidatëve për deputetë, ai shkroi në rrjetet sociale: “Ka gjithmonë kohë për të bërë gjërat që do. Mjafton liria!”

Në një tjetër postim, ai ankohet për një garë të pabarabartë, për një strategji joetike dhe për një inat të hapur përjashtues ndaj tij.

“Me është dashur të përtyp përfundimisht inatin brutal përjashtues “o unë, o ai”, të pranoj një garë të pabarabartë kur kam vetëm 6 javë këtu, të shkel mbi ca parime që i kam të shenjta, kur më duhet të konkurroj në një strategji jo etike me shokët e mi të vjetër e të rinj.”

Por përse flet Braçe?

A e ka fjalën për blerje votash?

A e ka fjalën për premtime për vende pune?

Apo për përdorimin e lejeve të ndërtimit dhe legalizimeve për të favorizuar kandidatët e PS-së?

Fjalët e përzgjedhura prej tij, lënë të kuptohet se brenda PS ka një garë të manipuluar për favorizimin e disa prej kandidatëve të listës së hapur.

PS, më e përçarë se kurrë?

Dikur një nga zërat më të fortë të Partisë Socialiste, sot Erion Braçe duket i distancuar nga struktura që dikur e mbështeste dhe e promovonte. Ai ndjehet i larguar nga qendra e pushtetit dhe tashmë është kthyer në një zë kritik brenda partisë.

Por a është Braçe i vetëm në këtë revoltë? Nga sa duket, ka pakënaqësi të shumta brenda radhëve të PS-së, por për momentin, zëri i tij është i vetmi që po sfidon hapur lidershipin e partisë.

A do të guxojnë të tjerët të thyejnë heshtjen? Apo “madhështia e pushtetit” nuk do të lejojë që këto përçarje të dalin në sipërfaqe?/Dosja

Share This Article
Leave a Comment