26 emra të seleksionuar nga tekniku Sylvinho, në një listë që mund të ndryshojë ende, në varësi të gjendjes fizike në të cilën do të mbërrijnë lojtarët. Pjesë e saj për herë të parë është edhe Julian Shehu, ish-mesfushori i Laçit tani te Widzew Lodz, që merr thirrjen e teknikut Brazilian për dy sfidat me Anglinë dhe Andorran. “Është një ëndërr e bërë realitet – tha Shehu -. Jam shumë krenar që jam përzgjedhur të përfaqësoj Kombëtaren. Është një nga ndjesitë më të bukura në botë. Shpresoj që ta përfaqësoj denjësisht dhe të jap maksimumin tim për ekipin si edhe për të rritur konkurrencën sepse i bën mirë ekipit”.
Mesfushori i ftuar rishtazi në Kombëtaren shqiptare tregoi emocionet e para pasi mori ftesën nga stafi kuqezi. Ai tregoi edhe emocionet e para pasi mori ftesën: “Momentin e parë kur mora ftesën nuk dija si të reagoja. Isha i mpirë nga emocionet. U kontaktova nga stafi, ishte moment shumë i bukur – tha ai, pa fshehur ambicjen -. Nuk kam ardhur për të qenë kalimtar. Shpresoj që rrugëtimi im të jetë sa më i gjatë në kombëtare. Kam ardhur me besimin për të bërë më të mirën”.
Lexo më tej: “Anglia mund të surprizohet”: Hoxha lëshon sfidën para ndeshjes në Wembley
Shehu ka rikuperuar tashmë gjendjen fizike pas dëmtimit dhe mezi pret të zbresë në fushë: “Viti i kaluar ishte viti më i vështirë në karrierën time, sidomos pas dëmtimit që pata. Por u rikuperova shumë mirë dhe shumë shpejt dhe jam 100% gati. Jam shumë mirë fizikisht, kam luajtur thuajse të gjitha ndeshjet me ekipin. Shokët e ekipit më kanë pritur shumë mirë si hera e parë që vij këtu. Kishte entuziazëm në ekipi. Më uruan dhe ishin aty për të më mbështetur”.