Tragjedia në Maqedoninë e Veriut, disa nga viktimat ishin nga 14 deri në 24 vjeç

3 Min Read

Drejtoresha e spitalit të Koçanit, Dr. Kristina Serafimova, së fundi në një konferencë për media, ka dhënë detaje mbi gjendjen e disa prej të lënduarve nga zjarri në diskotekë dhe se disa nga viktimat janë nga Shkupi, Shtip, Probishtip dhe Koçan.

Ajo tha se në spitalin që ajo drejton janë dërguar 70 persona mes të cilëve disa kanë mbërritur të vdekur. Mjekja ka treguar se pacientët kishin djegie dhe helmim me monoksid karboni.

Sipas saj, identifikimi i disa personave ishte i vështirë për shkak se disa prej tyre nuk kishin karta identiteti, por disa nga viktimat ishin të moshës nga 14 deri në 24 vjeç

“Kemi marrë 70 persona, për fat të keq, mes tyre ishin edhe të sjellë dhe të vdekur. Pacientët kishin djegie dhe helmim me monoksid karboni. Më pas ata janë transferuar në Spitalin klinik të Shtipit dhe prej andej disa janë dërguar në Shkup.

Aktualisht kemi 20 pacientë me simptoma të lehta. Shumë njerëz kanë vdekur, por deri në përfundimin e identifikimit, nuk mund të themi se sa kanë vdekur.

Identifikimi i disa personave ishte i vështirë për shkak se disa prej tyre nuk kishin karta identiteti. Të vdekurit ishin të moshës nga 14 deri në 24 vjeç, tha drejtoresha e spitalit të Koçanit, Dr. Kristina Serafimova.

Ministri i Brendshëm maqedonas Pance Toshkovski, përmes një konferencë për media, ka konfirmuar vdekjen e 51 personave në diskotekën ku ra zjarri në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në Koçan.

Sipas ministrit, viktima ndodhen në disa spitale në vend dhe pas identifikimit do të duhet të dërgohen për obduksion në Shkup.

Toshkovski deklaroi se zjarri filloi kur u aktivizuan fishekzjarret rreth orës 2:30 të mëngjesit dhe flakët shpërthyen në të gjithë lokalin. Siç tregon ai, shkëndijat goditën tavanin, i cili ishte bërë nga një material shumë i ndezshëm dhe zjarri u përhap. Sipas tij, tymi i dendur i mbyti disa nga viktimat dhe dogji të tjerët.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, informoi se gjithsej 118 persona janë shtruar në objekte të ndryshme spitalore pas tragjedisë në Koçan.

Ai theksoi se të gjithë pacientët po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe se sistemi shëndetësor është plotësisht i mobilizuar.

Share This Article
Leave a Comment