Politico: Protestat në Serbi arrijnë pikën e vlimit

6 Min Read

Duket sikur e gjithë Serbia është mbledhur në Beograd.

Dhjetëra mijëra protestues vërshuan në rrugët qendrore të kryeqytetit serb të shtunën nga të gjitha drejtimet, në një valë pothuajse të pandërprerë çadrash dhe pankartash. Ata sfiduan shiun e pandalshëm dhe ajrin e pazakontë të lagësht të marsit që rëndonte mbi qytet për të marshuar në demonstrata kundër qeverisë, të cilat po zgjerohen prej muajsh dhe po kërcënojnë presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

“Frika ka ndërruar anë në Serbi,” tha për POLITICO Dinko Gruhonjić, një profesor universiteti nga Novi Sadi dhe një nga mbështetësit e hershëm të protestave.

“Protestat kanë treguar se qytetarët e zakonshëm nuk kanë më frikë,” shtoi ai. “Tani ata e shohin frikën në sytë e qeverisë.”  

Protestat filluan në nëntorin e kaluar, pasi streha e stacionit kryesor të trenit në Novi Sad, qendra e rajonit të begatë verior të Serbisë, u shemb mbi kalimtarët e rastësishëm, duke vrarë 14 persona në vend.

Viktimat përfshinin edhe fëmijë të vegjël të moshës 9 dhe 5 vjeç. Një tjetër viktimë ndërroi jetë më vonë nga plagët e marra, ndërsa disa të tjerë iu nënshtruan amputimeve.

Ajo që filloi si vigjilje 15-minutëshe, një minutë për çdo jetë të humbur, është shndërruar në lëvizjen më të madhe protestuese në historinë moderne të Serbisë. Demonstratat po rriten ndërsa qeveria mundohet të mohojë përgjegjësinë, pavarësisht provave që e lidhin kolapsin me rinovimet e fundit të terminalit të trenave.

“Ndërkohë që njerëzit ishin të vetëdijshëm për korrupsionin dhe kriminalitetin në qeveri më parë, fakti që korrupsioni mund të na vrasë pa dallim është ajo që ka ndezur këtë revoltë,” tha Gruhonjić.

Në fund të nëntorit dhe dhjetorit, studentët e universiteteve dhe shkollave të mesme filluan të bojkotojnë mësimet në shenjë proteste. Fakultete të tëra pezulluan ligjëratat, duke i shpallur ato “të pushtuara”, teksa studentët u vendosën në ambientet e universiteteve.

Në një nga skenat në sheshin Slavija të shtunën, një protestues anonim, pjesë e qasjes së qëllimshme pa lider të lëvizjes, ngriti turmën me një thirrje: “Shihni sa shumë jemi këtu! Zëri juaj ka rëndësi! Le ta zgjojmë Serbinë së bashku!” 

Demonstrata e së shtunës ishte kryesisht paqësore, por policia arrestoi një burrë që përplasi makinën e tij me protestuesit në një lagje periferike të Beogradit, duke plagosur tre persona, raportoi AP.

Optimizmi dhe ndjenja e thellë e identitetit kolektiv mbizotëruan të shtunën në Beograd, teksa familje të tëra mbërritën, disa në këmbë, nga më shumë se një duzinë qytetesh dhe fshatrash, duke treguar me krenari këmbët e tyre të nxira si një shenjë vendosmërie.

Fillimisht, qeveria u tregua e kujdesshme në përgjigjen e saj ndaj protestave, duke shmangur shtypjen e hapur ose kritikën e ashpër, por një seri përleshjesh të shpërndara dhe sulme ndaj protestuesve gjatë katër muajve të fundit ka rritur tensionet. Protestuesit pretendojnë se këto eskalime janë nxitur nga provokatorë të maskuar dhe me kapuç.

Disa ministra nga Partia Progresive Serbe në pushtet, së bashku me kryeministrin Miloš Vučević, ofruan dorëheqjet e tyre si përgjigje ndaj ngjarjeve, por njëkohësisht akuzuan protestuesit se po komplotonin për të rrëzuar qeverinë.

Kryetarja e Parlamentit dhe ish-kryeministrja Ana Brnabić akuzoi studentët dhe profesorët protestues në Beograd se po “nxisin një grusht shteti dhe luftë civile në Republikën e Serbisë”, në një deklaratë të bërë këtë javë.

Presidenti Vuçiç ka thënë se ata që janë përgjegjës për shembjen e strehës në Novi Sad “do të shkojnë në burg” dhe se rrëzimi ka ndodhur për shkak të një “gabimi profesional” dhe jo për shkak të korrupsionit. Megjithatë, ai gjithashtu i krahasoi protestuesit me një “revolucion me ngjyra” të financuar nga OJQ-të ndërkombëtare dhe madje nga qeveri të huaja, një qëndrim i përsëritur shpesh nga figura si Viktor Orban në Hungari dhe Robert Fico në Sllovaki, të cilët janë përballur me protesta të ngjashme masive kohët e fundit.

Vendndodhja më e lakmuar në Beograd — parku kryesor midis ndërtesës së parlamentit dhe presidencës — është pushtuar nga studentët pro-qeveritarë, të cilët protestojnë nën sloganin “Studentët duan të studiojnë.” 

Për javë të tëra, ata kanë fjetur në tenda, me praninë e tyre të ruajtur nga rreshta xhandarësh të armatosur dhe të rrethuar nga barriera kundër trazirave dhe traktorë, këta të fundit ndoshta si një simbol që edhe ata përfaqësojnë njerëzit e zakonshëm.

Përreth tyre, protestuesit e marshimit brohorisnin “Jepi!” thirrja kryesore e lëvizjes, duke treguar se pavarësisht sa prej tyre ndalohen apo arrestohen, zëra të rinj do të ngrihen në vendin e tyre.

Përshtatur nga Politico në shqip,  

Share This Article
Leave a Comment