Drejtuesi politik i Qarkut të Korçës, Niko Peleshi ka zhvilluar ditën e sotme një takim me qytetarët e Devollit.
Peleshi bëri prezantimin e parë të dy prej kandidatëve për deputete të listës me 13 kandidatë, 3 në pjesën e mbyllur dhe 10 në pjesën e hapur.
Ai shtoi se PS nuk ka hyrë ndonjëherë në garë për barazim, por vetëm për fitore.
“Së pari unë sot në Devoll do të bëj prezantimin e parë të dy prej kandidatëve për deputet të listës tonë me 13 kandidatë, 3 në pjesën e mbyllur dhe 10 në pjesën e hapur. Dy djem të shkëlqyer të Devollit janë një në listën e mbyllur dhe një në listën e hapur. Kur më pyesni se pse kam zgjedhur që Devollit ti japim dy kandidatë, ka shumë simbolika brenda. Devolli është një zonë me shumë vlera për qarkun tonë, mbase krahina më punëtore në Shqipëri. Ka njerëz të shkëlqyer, ka histori e traditë dhe meriton që ti ngrihet koka në kuptimin të vlerësohet përmes dy figurave, dy djem të rinj që e kanë treguar veten e vet, njëri në punën politike prej disa fushatash dhe tjetri në punën profesionale dhe në kontaktet me njerëzit, janë njerëz të mirë të Devollit që gëzojnë respekt dhe reputacion për të gjithë dhe padyshim do japin rezultat e në këto zgjedhje. E filloj nga Devolli sepse Devolli është një histori suksesi. PS nga fushata në fushatë dhe në zgjedhje ka shënuar rritje dhe ne këtu kemi fituar për herë të dytë bashkinë e Devollit. Natyrisht që do jemi fitimtarë edhe në Maj jo vetëm në të mirë të gjithë votave që do mbledhim në qarkun e Korçës për të arritur objektivin tonë për 7 deputetë, sot jemi 6 e synojmë të rritemi, për hir të qytetarëve të Devollit dhe të fshatit që meritojnë të përfaqësohen nga figura dinjitoze”, tha Peleshi.
U ndal edhe te kundërshtarët politikë gjatë fjalës së tij. Peleshi tha se nuk ndjek zhvillimet brenda partive opozitare dhe theksoi se PS nuk matet me hijen e kundërshtarit, por me objektivin dhe qëndrimet e saj.
Edhe pyetjen e parë ma bëtë lidhur me kundërshtarët por nuk kam pse të ndjek se si shkojnë zhvillimet mes tyre e as nuk kam pse të komentoj listën e hapur e listën e mbyllur. Këtë nuk e them vetëm për mungesë modestie por e them për hir të së vërtetës që ne nuk matemi me hijen e kundërshtarit, matemi me objektivin tonë dhe me qëllimet tona. Padyshim që e vlerësoj shumë të dobët opozitën por ky s’është një lajm shumë fantastik dhe i gëzueshëm. Unë do doja të kishim një opozitë të fortë, sepse të bën më të mirë, të bën të zbulosh më shumë potencial brenda vetes. Siç e thashë nuk merremi me opozitën, nuk jam marrë edhe në të kaluarën, edhe gjatë fushatës, edhe kur temperaturat e tonet politike rriten, ajo faza e akuzave, sulmeve, shpifjeve etj jam munduar që të shikojmë përpara. Edhe këtu në Devoll nuk do shikojmë majtas djathtas, do merremi me sfidat, problemet dhe angazhimet që këta djem të Devollit do marrin para qytetarëve në qytet e në fshat për ti mbajtur e për ti bërë realitet më pas pasi të fitojmë mandatin e katërt.
Më tej, Peleshi shtoi se do të punojnë fort për të marrë 7 mandate, nga 6 që ka aktualisht PS në qarkun e Korçës.
Ne sot jemi 6 deputetë, në garë të paktën unë por, edhe PS nuk kemi hyrë ndonjëherë për barazim. 6 është barazim, 7 është fitore. Padyshim fitore jo e lehtë, është një diferencë prej 4 mandatesh me opozitën por ne do ta synojmë dhe do të punojmë me këtë objektiv, duke marrë parasysh edhe faktin që këtë herë për herë të parë kemi dhe votën e Diasporës ku jam i bindur që kur të hapen kutitë ne do të kemi një avantazh të konsiderueshëm.